Art dhe Kulturë

Veliaj me personalitetet e Njësisë 2: Faleminderit që kontribuoni për Tiranën

Veliaj me personalitetet e Njësisë 2: Faleminderit që kontribuoni

Në përfundim të takimeve në Njësinë 2, Kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një bisedë të ngrohtë me disa prej figurave të njohura që jetojnë dhe banojnë prej vitesh në këtë zonë.

“Doja ta mbyllja vrapin tim në këtë njësi me një moment reflektimi, ku i themi njëri-tjetrit faleminderit, jam krenar për ty, bravo të qoftë, na ke frymëzuar! Për një qytet si Tirana që vetëm rritet, duhet të kuptojmë se nuk jemi ne të vetmit që kemi shtruar rrugët me asfalt apo kemi vënë tulla, sepse për qytetin kanë kontribuar shumë njerëz, dikush në art, në kulturë, në filantropi, në mjekësi, e në shumë punë të tjera të mëdha. Kjo është arsyeja përse jemi mbledhur sepse dua që Tirana të njihet si qytet i njerëzishëm, si qytet mirënjohës që i respekton njerëzit. Në qoftë se ky do ishte i vetmi përkufizim që dikush do mbante mend nga Tirana, do ia ketë vlejtur. Jam shumë krenar për ju, jam shumë mirënjohës që më jeni bërë krah në disa momente të vështira të qytetit”, u shpreh Veliaj.

Emra të njohur për komunitetin e Njësisë 2, si Arjan Shtylla, Shaban Xhebraimi, Arben Derhemi, Nedin Hoxha, Vllasova Musta etj, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer aty ku banojnë, u nderuan edhe me një certifikatë mirënjohje nga kryebashkiaku Veliaj.