Politikë

Basha anulon festën e PD-së, paratë do t’u shkojnë të prekurve nga tërmeti (shifra s’publikohet)

Basha anulon festën e PD-së, paratë do t’u shkojnë

Lideri demokrat, Lulzim Basha anulon aktivitetin e planifikuar nesër për ditën e themelit të PD-së. Ky është kontributi i parë nga opozita jashtëparlamentare, ndërsa shifra nuk është bërë publike. Selia blu njofton se të gjitha fondet e përcaktuara për këto aktivitete se bashku me kontribute të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj do të shkojnë në ndihmë të personave të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit.

PD-ja thotë se solidariteti me të dëmtuarit nga tërmeti dhe mbështetja maksimale për ta është mënyra më e mirë për të përkujtuar data të rëndësishme që shënojnë ngjarjet e Dhjetorit 1990, nga Lëvizja Studentore tek shpallja e pluralizmit dhe lindja e Partisë Demokratike.

"Më herët Partia Demokratike anuloi aktivitetet për 28 nëntorin, kreu i demokratëve anuloi vizita te parashikuara jashtë vendit ndërsa në Ditën e Rinisë me 8 dhjetor, të rinjtë e Forumit Rinor e kthyen në ditë solidariteti duke mbledhur dhe shpërndarë ndihma për familjet e goditura nga tërmeti”, thuhet në njoftimin e PD-së./ Tiranapost.al