Aktualitet

BE mesazh udhëheqësve të protestës: S’ka vend për dhunë

BE mesazh udhëheqësve të protestës: S’ka vend për

Pak orë para nisjes së protestës së PD-së dhe LSI-së, një mesazh për udhëheqësit e demonstratës vjen nga delegacioni i BE-së dhe ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Në deklaratën zyrtare i bëhet thirrje që të mos nxiten protestuesit, në mënyrë që të jetë një protestë e rregullt dhe paqësore. Gjithashtu një këshillë vjen edhe për autoritetet, që të mos bien pre e provokimeve të protestuesve.

Deklarata e plotë e BE:

Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri respektojnë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Megjithatë, ne përsërisim rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë paqësore.

Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen.

Për të mirën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve dëshiron të shohë që vendi të bëjë përpara me procesin e reformave dhe të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente./ Tiranapost.al