BOTA

Ambasada amerikane paralajmëron shtetasit e saj: Ikni nga Rusia menjëherë!

Ambasada amerikane paralajmëron shtetasit e saj: Ikni nga Rusia

Ambasada amerikane në Moskë ka paralajmëruar sot të gjithë shtetasit e saj të largohen një orë e më parë nga Rusia.

“Qytetarët amerikanë nuk duhet të udhëtojnë në Rusi dhe ata që banojnë ose kanë udhëtuar në Rusi duhet të largohen menjëherë sa kohë që ekzistojnë mundësi të kufizuara të udhëtimit komercial,” shprehet ambasada.

Arsyeja e alarmit të ambasadës është një fjalim i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili pritet të shpallë të premten zonat e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore si territor shtetëror rus, pas të ashtuquajturit referendum. Por tirani i Kremlinit pritet të shpallë gjithashtu masa të ashpra ndaj të huajve në Rusi.

“Rreziku është që Putin të mbyllë vendin dhe të huajt nuk do të dalin për ditë apo edhe javë, sepse nuk do ketë fluturime. Dhe operacionet e shpëtimit nga vendet perëndimore janë të vështira të imagjinohen në kushtet aktuale”, tha një diplomat për BILD.

Në të njëjtën kohë, sipas informacioneve të BILD, kompanitë amerikane po u bëjnë thirrje punonjësve të tyre në Rusi, duke u kërkuar atyre që të largohen menjëherë nga vendi, përfshirë edhe shtetasit joamerikanë.

Sipas tyre vizat mund të anulohen shumë shpejt. Madje reporteri i BILD, Peter Tiede, nuk u lejua të hynte në vend të hënën, pavarësisht se kishte një vizë të vlefshme.

Kësaj i shtohet edhe fakti se mobilizimi prek edhe ata me shtetësi të dyfishtë. Kjo do të thotë se ushtria mund t’i rekrutojë ata. Të paktën 29 basketbollistë amerikanë nga liga profesioniste ruse mund të preken.

Opsionet për t’u larguar nga vendi me avion aktualisht janë ‘jashtëzakonisht të kufizuara’. Shumë fluturime tashmë janë plotësisht të rezervuara dhe jashtëzakonisht të shtrenjta, sepse dhjetëra mijëra rusë duan të ikin jashtë vendit përpara mobilizimit.