BOTA

Biden i dhuron senatorit demokrat stilolapsin me të cilin firmosi paketën 700 miliardë dollarë të klimës

Biden i dhuron senatorit demokrat stilolapsin me të cilin firmosi

Presidenti Joe Biden nënshkroi zyrtarisht paketën më të madhe në historinë e SHBA, prej 700 miliardë dollarësh, që synon të luftojë ndryshimet klimatike, duke çimentuar në ligj Aktin e Reduktimit të Inflacionit i cili rrit taksat kryesisht për të pasurit.

Legjislacioni, i përshëndetur edhe nga ish-Presidenti Barack Obama, ka për qëllim uljen e gazeve të brendshme serë, përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe uljen e çmimit të barnave me recetë. “Me këtë ligj, populli amerikan fitoi dhe interesat e veçanta humbën,” tha Biden nga Shtëpia e Bardhë.

Ajo që ra në sy pasi Biden nënshkroi legjislacionin ishte pikërisht momenti kur ai i dorëzon stilolapsin senatorit Joe Manchin, i cili ishte vendimtar për miratimin e versionit përfundimtar të projektligjit.

“Joe, nuk kam pasur kurrë dyshim,” tha Biden.

Manchin e përshkroi dhuratën e stilolapsit si “një gjest shumë të bukur.”

Projektligji, i quajtur “Akti i Reduktimit të Inflacionit”, është një arritje e madhe legjislative për demokratët përpara zgjedhjeve afatmesme. Projektligji kaloi Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin javën e kaluar me mbështetjen demokratëve dhe kundërshtimin e republikanëve.