BOTA

Britania mund të bëhet pjesë e Bashkësisë Politike Europiane të Macron

Britania mund të bëhet pjesë e Bashkësisë Politike

Mbretëria e Bashkuar e cila u largua nga Bashkimi Europian në fund të vitit 2020, po vlerëson mundësinë që të bëhet pjesë e Bashkësisë Politike Europiane, - projektit të Emmanuel Macron.

Takimi i parë i Bashkësisë Politike Europiane pritet të mbahet më 6 tetor në Pragë të Çekisë. Ideja për krijimin e kësaj bashkësie është prezantuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron në muajin maj, i cili ka thënë se do të ishte “një hapësirë e re” për bashkëpunim.

Qeveria britanike, siç raporton BBC, dëshiron më shumë detaje për samitin, para se kryeministrja Liz Truss të vendosë nëse do të marrë pjesë në takimin në Pragë.

Macron ka sugjeruar se ky grup mund të diskutojë për sigurinë, energjinë, transportin, por edhe për lëvizjen e lirë të njerëzve.

Bashkësia Politike Evropiane synon të jetë një forum që shkon përtej 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor pritet që të ftohen që të marrin pjesë në këtë bashkësi, por edhe të gjitha shtetet e BE-së si dhe Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia.