Foto/ Italia dhe Korea e Jugut në shtetrrethim nga koronavirusi: Pezullohet mësimi, mbyllen kufijtë në disa qytete

Korea e Jugut ka ngritur alarmin për koronavirusin në nivelin më të lartë, pasi numri i të konfirmuarve me koronavisur ka shkuar në 600 të cilët kanë dalë pozitiv në analiza.
Presidenti Moon Jae-in ka deklaruar se vendi po përballet me një pikë kthese të rëndë, dhe ditët e ardhshme janë vendimtare në betejën për të përmbajtur shpërthimin e virusit që ka shkaktuar 2200 viktima.
Ndërkohë edhe Italia dhe Irani kanë njoftuar masa bllokuese. Në Italia janë vendosur kufizime të rrepta dhe karantina në dy rajone HotSpot, të shpërthimit të virusit, afër Milanos dhe Venecias.
Njerëzit nuk mund të hyjnë ose të largohen nga disa qytete në Veneto dhe Lombardi për dy javët e ardhshme pa leje të veçantë. Edhe jashtë zonës, shumë biznese dhe shkolla kanë pezulluar aktivitetet, dhe ngjarjet sportive janë anuluar duke përfshirë disa ndeshje futbolli.
Italia ka shënuar dy viktima dhe numri i të prekurve ka shkuar në 100, 89 prej tyre në Lombardi.
Edhe Irani ka përkeqësim të situatës, me pesë viktima që nga e mërkura. Qeveria ka bërë me dije për 29 raste të konfirmuar deri më tani, edhe pse zyrtarët e Shëndetësisë thonë se virusi mund të jetë përhapur në të gjitha qytetet.
Shkollat, universitetet dhe qendrat kulturore në 14 provincat iraniane janë mbyllur që nga e diela.
Koronavirusi që e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës, shkakton sëmundje të frymëmarrjes të quajtur Covid-19.
Fatmirësisht nuk ka asnjë rast me të prekur në Shqipëri. Masat në pikat kufitare tokësore ajrore dhe në Aeroport janë dyfishuar. Ekspertët bëjnë thirrje për kujdes me higjienën dhe për çdo rast të dyshuar apo problematikë, në një nga shenjat, ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje të kontaktojnë në numrin 127.