BOTA

Gjykata e San Franciskos publikon videon e sulmit ndaj Paul Pelosit

Gjykata e San Franciskos publikon videon e sulmit ndaj Paul Pelosit

Gjykata e Lartë e San Franciskos publikoi të premten videon e regjistruar nga Policia gjatë sulmit të vitit të kaluar ndaj bashkëshortit të Nancy Pelosi, Paul Pelosi.

Pamjet e rënda të kamerës së trupit të një prej oficerëve që mbërritën në shtëpinë e Pelosit më 28 tetor 2022, kur ai u sulmua, shfaqin kaosin e momentit kur David DePape sulmoi bashkëshortin e ish-Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Në video, fillimisht edhe Pelosi edhe DePape po mbajnë një çekiç në dorë ndërkohë që agresori me dorën tjetër mban krahun e Pelosit kur oficerët hapën derën.

“Hiqni çekiçin,” thotë oficeri.

Por sulmuesi e merr çekiçin nga dora e Pelosit, hidhet drejt tij dhe e godet në kokë. Oficerët neutralizojnë më pas agresorin.

Këto pamje dhe disa të tjera nga kamerat e sigurisë u përdorën si provë në Gjykatë, me gjithë kundërshtitë e avokatit të të akuzuarit sipas të cilit kjo do të dëmtonte në mënyrë të pariparueshme të drejtën e tij për një gjykim të drejtë.

Pas publikimit të videos, duke folur shkurtimisht me gazetarët, Nancy Pelosi tha se nuk do të shihte pamjet e sulmit ndërsa shtoi se bashkëshorti i saj Paul Pelosi po e rimerr tashmë veten.