BOTA

Nesër krerët e BE mblidhen në Kiev, i pari Samit në një territor lufte

Nesër krerët e BE mblidhen në Kiev, i pari Samit në një

Të premten zhvillohet zyrtarisht takimi i nivelit të lartë i BE në Kiev, i pari samit në një territor lufte. Do të jetë delegacioni më i madh i BE-së që do të vizitojë Kievin që nga fillimi i agresionit rus: 16 komisarë të BE-së, ndër ta presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell si dhe presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel, ndërmarrin jo vetëm udhëtimin e rrezikshëm me tren përmes Ukrainës së tronditur nga lufta, por ata do zhvillojnë bisedime në Kiev bashkë me qeverinë ukrainase.

Çfarë përmban rendi i ditës?

Kryesisht mbështetja e mëtejshme ushtarake dhe financiare nga Bashkimi Europian do të jenë në rend të ditës. BE dhe vendet anëtare i kanë vënë në dispozicion deri tani Ukrainës armë dhe pajisje ushtarake në vlerën 11,5 miliardë euro. Sivjet BE-ja do të vendosë në dispozicion edhe 18 miliardë euro mbështetje financiare, në mënyrë që qeveria në Kiev të mund të vazhdojë të paguajë pensionet dhe pagat në sektorin e shërbimeve publike.

BE bashkë me vendet e industrializuara të grupit G7 ka filluar rindërtimin e institucioneve, për të koordinuar paratë private dhe publike dhe për të drejtuar procesin e rindërtimit.

Samiti në Kiev synon që të japë një sinjal se i vlerëson përpjekjet për reforma të qeverisë ukrainase dhe do ta inkurajojë atë të vazhdojë më tej.

Pritet që të diskutohet plani 10 pikësh i paqes i presidentit Volodymyr Zelensky, po ashtu edhe nisma për krijimin e një gjykate speciale për të vënë para përgjegjësisë presidentin Vladimir Putin si dhe personat e rrethit të tij të ngushtë.

Por sikurse theksojnë përfaqësuesit e BE-së, qeveria ukrainase nuk duhet të ketë pritshmëri të mëdha sa i përket një perspektive të shpejtë antarësimi.