Musk: Për të ndryshuar botën nuk mjaftojnë 40 orë në javë, duhet dyfish

Elon Musk është shprehur përmes një postimi në Twitter se njerëzit duhet të punojnë të paktën 80 orë në javë për të ndryshuar botën.
“Ka shumë mënyra pune, por askush nuk e ka ndryshuar botën duke punuar vetëm 40 orë në javë,” tha Musk, duke iu referuar katër kompanive Tesla, SpaceX, The Boring Company dhe Neuralink ku ai është CEO.
I pyetur nga një përdorues i Twitter për numrin e orëve që i duhen një personi për të punuar çdo javë në mënyrë që “të ndryshojë botën,” Musk u përgjigj duke thënë se, idealja nis me 80 orë.
“Varet dhe nga personi, por 80 mund të mjaftojnë,” thotë ai.
Musk tha në një intervistë në nëntor se ai punonte 120 orë në javë, ndërsa të gjithë në Tesla kishin punuar 100 orë në javë herë pas here gjatë këtij viti, pasi Tesla ngriti prodhimin e modelit të saj sedan Model 3. Ai tha se orët e gjata ishin të nevojshme që Tesla të mbijetonte. Por disa punonjës thanë se orët e gjata janë të tepruara.