BOTA

Papa Françesku thirrje Putin: Ndalo spiralen e dhunës dhe vdekjes!

Papa Françesku thirrje Putin: Ndalo spiralen e dhunës dhe vdekjes!

Papa Françesku i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që t’i japë fund luftës në Ukrainë.

“Apeli im i drejtohet fillimisht presidentit të Federatës Ruse, duke iu lutur atij (Putin) që të ndalë, për hir të popullit të tij, këtë spirale të dhunës dhe vdekjes”, tha Papa Françesku. “Në anën tjetër, i pikëlluar nga vuajtjet e mëdha të popullit ukrainas pas agresionit, i drejtohem me një apel presidentit të Ukrainës që të jetë i hapur për propozime serioze të paqes”, shtoi Papa.

Lideri i Kishës Katolike po ashtu dënoi rrezikun në rritje të një lufte bërthamore: “Ndiej keqardhje të madhe për situatën serioze që është krijuar ditëve të fundit, me veprime të mëtejme që bien ndesh me parimet e ligjit ndërkombëtar e që rrit rrezikun e një përshkallëzimi bërthamor deri në pikën e frikës nga pasoja të pakontrollueshme dhe katastrofale për mbarë botën”, tha ai.

Deklaratat e Papës të bëra ditën e sotme gjatë lutjeve publike në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, janë ndër më të fortat që ai ka bërë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Komentet e Papës vijnë pasi Putin kërcënoi Perëndimin lidhur me përdorimin e armëve bërthamore, duke thënë madje se nuk po bënte bllofin.