BOTA

Parlamenti Europian i jep Ukrainës statusin e vendit kandidat në BE

Parlamenti Europian i jep Ukrainës statusin e vendit kandidat në BE

Parlamenti Europian votoi në shumicë dërrmuese të enjten për t'i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Ky vendim e sjell Kievin një hap më pranë aleatëve perëndimorë, të cilët e kanë furnizuar me sasi masive armatimesh, për ta ndihmuar atë të përballet me agresionin e Rusisë.

Votimi në parlament përfundoi me 529 vota në favor të Ukrainës, 45 kundër dhe 14 abstenime.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ukraina ka përmbushur tashmë afërsisht 70% të rregullave, normave dhe standardeve të BE-së. Por ajo shtoi se duhet bërë shumë në çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, përballjen me oligarkët, nismat antikorrupsion si dhe garantimit të të drejtave themelore.

Parlamenti Europian miratoi gjithashtu edhe statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian të Gjeorgjisë dhe Moldavisë.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel e quajti historik vendimin. "Një moment historik. Sot shënohet një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt BE-së”, tha ai duke uruar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenten e Moldavisë Maia Sandu, si dhe popullin e Ukrainës dhe Moldavisë.

Edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka cilësuar si historik vendimin për dhënien e statutit kandidat për anëtarësimin. “Është një moment unik dhe historik. E ardhmja e Ukrainës qëndron brenda BE-së”, shkruan Zelensky, duke falënderuar Charles Michel, Ursula von der Leyen dhe liderët e BE-së për mbështetjen që kanë treguar.