Putin: Rreziku bërthamor po rritet, por ne nuk jemi të çmendur të përdorim armët të parët

Vladimir Putin ka deklaruar sot se kërcënimi i një lufte bërthamore po rritet. Por ai këmbëngul se, “Rusia nuk është e çmendur që të përdorte e para armët e saj bërthamore”.
Presidenti rus, ndërsa fliste në takimin vjetor të Këshillit Rus të të Drejtave të Njeriut për perspektivën e një lufte bërthamore, tha se vendi i tij do të përdorte armë të shkatërrimit në masë vetëm në përgjigje të një sulmi.
“Një kërcënim i tillë po rritet, do të ishte gabim ta fshihni,” paralajmëroi Putin.
Por ai pohoi se Rusia “në asnjë rrethanë” nuk do të përdorte armët e para dhe nuk do të kërcënonte askënd me arsenalin e saj bërthamor.
“Ne nuk jemi çmendur, ne jemi të vetëdijshëm se çfarë janë armët bërthamore,” tha ai, duke shtuar: “Ne nuk do të vrapojmë nëpër botë duke e tundur këto armë.”
Putin gjithashtu u mburr se Rusia kishte armët bërthamore më moderne dhe më të avancuara në botë dhe e krahasoi strategjinë e saj bërthamore me SHBA-në, të cilat, tha ai kanë shkuar edhe më tej se Rusia, duke vendosur armët e saj bërthamore edhe në territore të tjera.
“Ne nuk kemi armë bërthamore, përfshirë ato taktike, në territorin e vendeve të tjera, por amerikanët kanë në Turqi dhe në një numër vendesh të tjera europiane,” tha ai.
Putin tha gjithashtu se lufta në Ukrainë mund të jetë një proces i gjatë, në një kohë kur zyrtarët perëndimorë besojnë se Putin fillimisht kishte planifikuar një fitore të shpejtë.