BOTA

Zonat e okupuara të Ukrainës votojnë për t'u bashkuar me Rusinë në referendumin e cilësuar si një mashtrim nga Perëndimi

Zonat e okupuara të Ukrainës votojnë për t'u bashkuar

Zyrtarët e emëruar nga Moska në rajonet e Ukrainës nën kontrollin rus thanë të martën se shumica mbizotëruese e banorëve votoi në favor të bashkimit me Rusinë, pas pesë ditëve votimi në të ashtuquajturat referendume që Kievi dhe Perëndimi i kanë denoncuar si të orkestruara.

Votimet e organizuara me nxitim u mbajtën në katër zona: Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, që së bashku përbëjnë rreth 15% të territorit të Ukrainës.

Autoritetet e Luhanskut thanë se 98.5% e banorëve kishin votuar për t'u bashkuar me Rusinë, bazuar në 69% të votave të numëruara. Në Zaporizhzhia, shifra ishte 92.9%, me më shumë se 70% të votave të numëruara, ndërsa në Kherson vota "pro" ishte mbi 87%, sipas kreut të komisionit të votimit. Shifrat e Donetskut nuk kishin dalë.

Brenda territoreve të pushtuara, zyrtarët e vendosur nga Rusia i çuan kutitë e votimit nga shtëpia në shtëpi, në një veprim që Ukraina dhe Perëndimi thanë se ishte një ushtrim i paligjshëm dhe detyrues për të krijuar një pretekst ligjor për Rusinë që të aneksojë katër rajonet.

Presidenti Vladimir Putin më pas mund ta paraqesë çdo përpjekje ukrainase për t'i rimarrë ato si një sulm ndaj vetë Rusisë. Ai tha javën e kaluar se ishte i gatshëm të përdorte armë bërthamore për të mbrojtur "integritetin territorial" të Rusisë.

Votimi ishte i ngjashëm me referendumin në Krime pas marrjes nën kontroll të saj nga Rusia në vitin 2014, kur udhëheqësit e Krimesë deklaruan se 97% e votuesve ishin pro shkëputjes nga Ukraina dhe bashkimit me Rusinë.

Presidenti Putin tha në televizionin shtetëror të martën se votat kishin si synim mbrojtjen nga ajo që ai e quajti persekutim të rusëve etnikë dhe rusishtfolësve nga Ukraina, diçka që Kievi e ka mohuar.

"Shpëtimi i njerëzve në të gjitha territoret ku po mbahet ky referendum është në qendër të vëmendjes sonë dhe gjithë shoqërisë dhe vendit tonë," tha ai.

Moska ka ndërmarrë muajt e fundit veprime për të "rusifikuar" zonat nën kontrollin e saj, përfshirë lëshimin e pasaportave ruse dhe rishkrimin e programeve shkollore.

Referendumet u organizuan me ngut këtë muaj pasi kundërofensiva ukrainase frenoi me sukses forcat ruse në fushën e betejës në rajonin verilindor të Kharkivit.

Valentina Matviyenko, kryetarja e dhomës së lartë të parlamentit rus, tha se nëse rezultatet e votimit do të ishin në favor të shkëputjes, ajo mund të konsideronte përfshirjen e katër rajoneve në Rusi më 4 tetor, tre ditë para 70 vjetorit të presidentit Putin.