Ursula Von der Leyen gruaja më e fuqishme në botë për vitin 2022, sipas Forbes

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen kryeson listën e 100 grave më të fuqishme në botë gjatë vitit 2022 nga revista presitgjoze “The Forbes”.
“Si përfaqësuese e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe 450 milionë votuesve të tyre, Ursula von der Leyen reflekton sesi Evropa dhe lidershipi i gruas ka zënë vend kryesor në mes të paqëndrueshmërisë së sotme globale”, shkruan “Forbes”.
Ndër 10 gratë më me ndikim, në vendin e dytë është renditur presidentja e BQE-së Christine Lagarde, në vendin e tretë zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris dhe në vendin e katërt CEO e “General Motors”, Mary Barra.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ndodhet në vendin e shtatë.
“Si liderja e qeverisë së ekstremit të djathtë të Italisë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Meloni është një figurë kontroverse, e ardhmja politike e së cilës mbetet e pasigurt. Pavarësisht kësaj, suksesi i saj përfaqëson një arritje për lidershipin femëror”, shkruan revista e njohur amerikane.
22-vjeçarja iraniane Mahsa Amin zë vendin e 100-të të këtij viti, përfshirja e parë pas vdekjes në listë.
“Emri i saj u bë sinonim i luftës së guximshme për barazinë e grave,” shkruan Forbes.