BOTA

Zgjedhjet në Itali, sot heshtja para frikës për fitoren e ekstremit të djathtë

Zgjedhjet në Itali, sot heshtja para frikës për fitoren e

Udhëheqësit e Italisë mbajtën tubimet e tyre të fundit përpara zgjedhjeve parlamentare qe do të mbahen të dielën. Sondazhet tregojnë se zgjedhjet pritet që të fitohen nga e djathta ekstreme, duke e vendosur Romën në rrugë të mundshme përplasjeje me Brukselin.

Një treshe grupesh të qendrës së majtë dhe të qendrës se djathtë mbajtën takimet e tyre përmbyllëse në sheshe të ndryshme, duke nënvizuar dështimin e tyre për të krijuar një pakt të bashkuar elektoral, një vendim që ka sjellë përfitime të jashtëzakonshme për bllokun konservator.

Megjithatë, në mbyllje të fushatës, lideri i Partisë Demokratike, Enrico Letta iu drejtoi zgjedhësve një apel të fundit të mos lejojnë fitoren e ekstremit të djathtë. "Zgjedhjet tona ne i bëmë duke ditur se në anën tjetër ka një Itali në regres që ende nuk mendon se është e mundur t’u japim njerëzve lirinë për të përjetuar të drejtat ashtu siç bëjnë në pjesën tjetër të Europës sot. Zgjedhjet që ata kanë bërë fjalët që përdorin janë të patolerueshme. Piazza del Popolo do të mbrojë Kushtetutën italiane të lindur nga Rezistenca dhe antifashizmi. Ne nuk do të lejojmë që kjo Kushtetutë, më e bukura në botë, të shtrembërohet nga kjo e Djathtë.”

Grupi nacionalist i Giorgia Melonit, Vëllezërit e Italisë, rrezikon të dalë si partia kryesore të dielën dhe do të ndajë pushtetin me aleatët e saj Ligën, të kryesuar nga Matteo Salvini dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit. Vëllezërit e Italisë sipas mediave shihet si një lëvizje post-fashiste krijuar në fund të Luftës së Dytë Botërore, megjithëse Meloni është përpjekur të projektojë një imazh të moderuar.