Aktualitet

Coronavirus vë në lëvizje laboratorët dhe ekspertët europianë: Rrezik përhapje nga miliona kinezë që udhëtojnë për Vitin e Ri

Coronavirus vë në lëvizje laboratorët dhe ekspertët

Coronavirus quhet lloji i virusit që ka përhapur alarmin jo vetëm në vendin ku ka shpërthyer, në Kinë por edhe në vende të tjera, për shkak të mënyrës së përhapjes. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se mund të shpallë gjendjen e emergjencës duke bërë dhe thirrje për kontrolle në aeroportet kryesore.

Ky virus që ka shpërthyer fillimisht në Wuhan, ku ka marrë jetën e 9 personave deri më tani dhe në vetëm tre javë nga shpërthimi, ka infektuar me qindra të tjerë.

Autoritetet globale shëndetësore po bashkëpunojnë me autoritetet kineze për të mos lejuar përhapjen e këtij virusi në gjithë botën, por më e rëndësishmja, për të ndaluar përsëritjen e historisë në vitin 2002, ku pas shpërthimit të virusit SARS, nga familja e Coronavirusit, 774 njerëz ndërruan jetë.

Mes 31 dhjetorit dhe 22 janarit, autoritetet kineze identifikuan më shumë se 400 raste. Tajlanda ka raportuar dy raste të virusit, ndërsa Japonia, Korea e Jugut dhe Tajvani me nga një rast, të njerëzve që kishin vizituar kohët e fundit Kinën.  Jashtë Azisë, SHBA-të janë vendi i parë ku u raportua e konfirmua rasti i parë i virusit, nga një person i kthyer kohët e fundit nga Wuhani i Kinës.  Wuhan është një qytet kinez me 11 milion banorë.

Nga qendra europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve u lëshua një deklaratë: "Shumica e rasteve të zbuluara e të konfirmuara të pneumonisë ( pra bartës të virusit) vijnë nga persona që kanë qenë në tregun e Wuhan me prodhime të mishit dhe peshkut”. Por sipas mediave, ka pasur raste të konfirmuara edhe nga persona që nuk kanë vizituar atë zonë dhe as nuk kanë takuar njerëz nga Wuhan.

Image result for coronavirus

Virusi i mistershëm, shkakton pneumoni të rëndë, çrregullime akute të frymëmarrjes dhe dëmtim të veshkave. Shenjat e zakonshme primare janë: Probleme me frymëmarrjen, ethe, kollë dhe lodhje fizike.

Një ekspert me emrin Arnaud Fontanet, ka treguar për AFP se ky lloj virusi është i shtati që bën pjesë në familjen e coronavirus dhe që prek njrëzit.

Gjenetikisht, virusi i ri - i quajtur "2019-nCOV" - është 80% i ngjashëm me atë të SARS. SARS u përhap me shpejtësi në vitet 2002 dhe 2003, duke shkaktuar gati 800 viktima. Por ekspertët besojnë se ky virus i ri është pak më i dobët se SARS.

"coronaviruset janë zoonotikë, domethënë transmetohen fillimisht midis kafshëve dhe njerëzve".

Autoritetet kineze konfirmuan dje se ky lloj virusi transemtohet përmes ajrit nga njeriu tek njeriu, gjë që rrit mundësinë e përhapjes së virusit në masë. Kina mbetet më e prekura nga shpërthimi. Por autoritetet shëndetësore në të gjithë botën kanë frikë se festat me udhëtimet e kinezëve për Vitin e Ri me 25 Janar mund të çojnë në përhapje të virusit mes miliona njerëzve.

Miliona qytetarë kinezë udhëtojnë brenda shtetit për festën, ndërsa miliona emigrantë kinezë kthehen në Kinë dhe mund të marrin me vete virusin kur të kthehen sërish në vendet ku jetojnë.

Nuk ka dalë akoma asnjë lloj vaksine për tu mbrojtur nga virusi.

Autoritetet në Kinë dezinfektuan tregun më të madh në Wuhan dhe janë kryer analiza në të gjitha produktet e këtij tregu me prodhime deti dhe lloje të ndryshme mishi, aty nga ka dalë virusi.

Brenda Europës, po bëhen gati laboratorët diagnistikues të virusit, nëse do të ketë një rast të parë të konfirmuar dhe që reagimi të jetë sa më i shpejtë./ Tiranapost.al. 

http://www.tiranapost.al/virusi-i-mistershem-e-vdekjeprures-qe-shpertheu-ne-kine-prek-dhe-ameriken-si-transmetohet-keto-jane-simptomat/