SPORT

Dermaku konfirmon dëshirën për të qëndruar te Parma

Dermaku konfirmon dëshirën për të qëndruar te Parma

Kastriot Dermaku ishte titullar në sfidën e raundit të 1/8-ave të Kupës së Italisë mes Parmës dhe Romës. Më tej avancuan kryeqytetasit por lajmi i mirë për mbrojtësin shqiptar ishte rikthimi në fushë pas një mungese të gjatë me trajnerin D’Aversa që nuk e ka preferuar në sfidat e fundit. Në fund të sfidës Dermaku në një intervistë për mediat italiane, konfirmoi edhe njëherë dëshirën e tij për të qëndruar te Parma.

“Mbetëm pak keq pas ndeshjes. Luajtëm kundër një skuadre të madhe, e cila e tregoi veten në pjesën e dytë. Tani vëmendja duhet të kaloj te kampionati. Nuk është e lehtë kur ndryshojnë shumë lojtar, por i ka bërë mirë atyre që kanë pasur më pak minuta në këmbë. Sfida kundër Juventus? Do jetë një ndeshje e vështirë, ata janë kampionët e Italisë. Do të zbresim në fushë për të bërë rezultat.

Si e vlerëson pjesën e parë të sezonit? Kam luajtur dhjetë ndeshje mes Kupës dhe kampionatit dhe nuk e kisha menduar se do kisha kaq shumë hapësirë. Kështu që jam i lumtur. Merkato? Nuk kam folur me asnjë skuadër, sepse këtu ndihem mirë. Qëllimi im është të mos largohem nga Parma”, u shpreh Dermaku/XH.K