25 Rreshtat e Mirës

Ditari i Londrës

Ditari i Londrës

"Ivy" është një zinxhir restorantesh të famshëm në Londër, ndër më të mirët. Londrën, vetë ata që e jetojnë, e quajnë ‘stressful’, por vend i mundësive ose ndryshe Amerika e Europës. Nuk di asgjë për Londrën, veç një vëzhgimi treditor, nga i cili më bënë përshtypje dhelprat, që dalin natën dhe ikin kur të shohin se kanë frikë nga drita dhe njerëzit, faktin që nuk sheh askund një kosh plehrash, nuk sheh as një kosh plehrash të pastër, nuk e sheh fare pra! Se ku i fshehin dhe sesi e mbajnë atë vend me lule dimër e verë, me ngjyra blu, rozë, të kuqe nëpër dyer, një Zot e di. Në Londër dhe në të gjithë Britaninë është krijuar tashmë edhe brezi i parë i shqiptarëve që kanë lindur atje, siç ishte Dioni, 21-vjeçari që po mos ta dëgjosh kur flet pak shqip, nuk e merr dot për shqiptar. Dioni punon tek "Ivy", por i pari që afrohet kur dëgjon disa herë shqipen në tavolinën e "Ivy", në South Kessington, është Besmiri nga Prishtina. I dashur dhe i ëmbël, siç prishtinalinjtë dinë të jenë. Ai tregon se shumica dërrmuese në restorant janë shqiptarë. Është një mëngjes me një shi të butë dhe sa hyra, vajza e sportelit shqiptoi me saktësi emrin dhe mbiemrin tim, nga rezervimi. (Shënim: pa rezervim, në Londër vdes për të ngrënë ose përfundon më fastfood). Pak më vonë, Adela, që ishte e dyta që afrohet tek tavolina, pasi e thirri Besmiri, zbulon se vajza e sportelit nuk është talent në shqiptim, por Kristina nga Pogradeci, që s'ka pak që ka emigruar nga Greqia në Londër, po. Adela na tregon që edhe ai djali që po kalonte para nesh ishte nga Shqipëria. Dioni, 21 vjeç, i lindur atje, me një buzëqeshje prej ylli televiziv, pyet me shqipen e tij të thjeshtë për njerëzit. "Si janë tani ata pas tërmetit, se gjynah!". Kurrë fjala 'gjynah' s'më qe duk më e lezetshme. Pastaj afrohet edhe Jetmiri nga Kukësi, i cili është menaxher në "Ivy", ulet dhe tregon për shqiptarët që punojnë aty. Si ka mundësi që ne shqiptarët jemi të mirë por Shqipërinë s'e bëjmë dot, ndërsa zhvillohemi për së mbari kur shkojmë nëpër botë, edhe pse atje lodhemi e stërmundohemi më shumë? Kur jemi vetëm bëhemi të suksesshëm dhe jemi model, bashkë në Shqipëri nuk po e bëjmë dot. Pse bashkë ne dështojmë? Jetmiri ia vë fajin politikës dhe s'ka asnjë tundim për t'u kthyer. Adela jeton me të dashurin dhe s'e do shumë restorantin si punë, Kristina thotë se ka shumë stres në Londër, por beson se aty do t'i ndrijë ylli i fatit. E kështu me radhë Jetmiri, Besmiri, Artani nga Vlora që ishte krenar e bënte humor me më të vegjlit se ai. Si përfundim, shkurt: Shqipërinë më të mirë e kemi jashtë Shqipërie. Shënim: mos e humb videon!  

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]/ Tiranapost.al.