25 Rreshtat e Mirës

Dua të bëj një fjalim

Dua të bëj një fjalim

A jemi gati ta pyesim veten se përse nuk reagojmë kur shohim se ata po flasin kundër kohës, të ardhmes sidomos? Nuk është e lehtë që një gazetar të dalë nga kutia apo deviza, ç'bën lajm është ok. Por ndoshta duhet të provojmë t'i ikim lajmit, që në shumicën e rasteve sot është veç një sherr i stilit të vjetër, demode. A e kemi vënë re ne se niveli i diskutimit në Parlament është fyes? Se retorika politike është mjerane në vitin 2020? Se vetë ne të medias apo edhe shqiptarët jashtë skenës, jetës publike e me ndjekësa në Instagram dhe larg paneleve, janë pajtuar me budallallëkun e kohës dhe nuk po shquajnë më gabimet ngaqë e gjitha është një gabim, një rrugë e mbrapshtë? Pa i rënë gjatë, tërmetet që po jetojmë në Shqipëri na treguan se vendi ka nevojë për profesionistë. Duke i uruar jetën e gjatë profesoreshë Luljetës, po kur ajo e shokët e saj mos të jenë më, ku do jemi ne me profesionistët? Kë do pyesim? Kush do mendojë për shpikje e përparime në shkencën e jetës së re që po vjen si një disk fluturues me ndryshimet tech! Në vend të flasim për mundësinë e të rinjve që të shkollohen për këtë kohën e re me të cilën merret bota e zhvilluar. Si ka mundësi që nuk kemi dëgjuar një fjalim, një qëndrim për këtë temë, që duhet të dominojë politikat, të ngasë politikëbërësit, të frymëzojë shqiptarët? Coronavirus, ose gripi që duket si birrë, është një tjetër sinjal se me dijen s'krahasohet asgjë. Sëmundjet dhe përparimi teknologjik kërkojnë për të rindërtuar shkencëtarë, djem e vajza me talente e mendje plot shpikje. Siç rindërtohen shtëpitë, njësoj duhet rindërtuar e ardhmja, veçse ajo nuk është prej muri, nuk duket as nga ngjyra, por është cilësi jete. Sigurisht, të flasësh e të shpenzosh paratë e fondet për një kauzë që frytet i jep pas 30 vitesh, të lyp të jesh politikan pak naiv, pak i çmendur, pak i ri. Sepse me politika të tilla nuk fiton asnjë dreq vote, dihet, por ia lë atë pasuri trashëgimtarëve. Ne urrejmë t'u lëmë gjë të tjerëve, edhe kur e lëmë, vjen tjetri e shkatërron nga inati, e kemi sport kombëtar. Si ka mundësi që nuk flasim e nuk bëjmë asnjë hap të vogël drejt së ardhmes? Këto mendime më kaluan në mendje kur dëgjoja me keqardhje Rudinën në parlament, që fliste sikur të ishte Jozefina, që tani të duket sikur ka qenë para 100 vitesh. Apo kryeministrin, që ka 100 vite që sfidon të tjerët me fjalë të bukura. Kohë e shpenzuar keq dhe në dëm të së ardhmes tonë. Si s'po ndërgjegjësohemi të flasim për veten, dijen po vetëm lek, lek, lek?! Se ja, u bëmë të pasur të gjithë. A i duhet kujt nëse bie një tërmet? Gripi i zë edhe të pasurit, se ai është në ajër dhe shkon edhe në hundën e tyre. Tërmeti i rrëzon të gjithë në mënyrë të barabartë. Pse nuk po flasim për të ardhmen? Kaq shumë e urrejmë si komb?! *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]/ Tiranapost.al