25 Rreshtat e Mirës

Dua të mbaj zi në vdekje si kjo

25 Rreshtat e Mirës/ Philip Roth-in e kam njohur vitet e fundit. Njohur në kuptimin që e kam lexuar por edhe njohur siç ndodh me shkrimtarët e mirë, edhe me ata që nuk lëshojnë kryevepra, sepse shkrimtarët - edhe ata në përpjekje - janë njerëz të mirë. I bën talenti, shkëputja nga bota dhe ulja pas makinës së shkrimit, tastierës së kompjuterit, i vesh me një refleksion që ne krijesat e shpejta gazetarë, politikanë, mjekë, policë, etj., nuk e kemi dot.  Siç thoshte Heminguei: Gazetaria letërsi e nxituar është!

Shkrimtarët janë buka e ngrohtë e shpirtit të lexuesit nga Shqipëria në Australi, nga Azia në Europë.

Philip Roth vdiq sot, në moshën 85-vjeçare. Me sytë letrarë (më pëlqen të them kështu. Nëse e keni vënë re, të gjithë shkrimtarët ngjajnë mes tyre nga fakti që me moshën duken të pashëm) dhe buzëqeshjen amerikane. Ishte i vetmi autor i gjallë që vlerësohej në bibliotekat amerikane si ata që vdesin dhe i lartësojmë edhe më shumë kur s'janë. Sigurisht nuk e mori atë Nobel të "mallkuar", po mirë e kishte Sartre: çmimet janë të korruptueshme, të krijojnë varësi dhe të marrin lirinë, sikur diku diku të blejnë edhe me një trofe - i shitesh një statuje a certifikate  të lëmuar. Prandaj Roth iku duke na lënë  veprat e tij, bashkë me dhuratën e kujtimit të një njeriu të lirë.

Philip Roth është nga ata autorë që të jep gëzim kur e lexon. Të krijohet dhe kur lexon autorë të mëdhenj që janë edhe gjallë, prodhon ndjenja rehatie. Por pastaj ata vdesin, dhe marrin me vete një pjesë tonën, duke na shkëputur nga zemra siç një familjar, një i dashur mund të na e rrëmbejë, duke lënë pas, bashkë me lavdinë e tij, shfajësimet për kritikat e padrejta gjatë jetës, boshllëk me bollëk.

Sot mund të shkruaja për shumëçka në "25 rreshtat", por dua që t'u kthehemi shkrimtarëve, t'u japim respekt, sepse ata janë, për fat, e vetmja racë që i ka mbetur botës si një fije e praruar e dijes.

Siç thoshte edhe Philip Roth: "Mos kërkoni ta shpjegoni botën. Ajo është ajo që është dhe të gjithë ne. Arsyeja gjendet vetëm në libra".

Good bye, Philip Roth! /Tiranapost.al