25 Rreshtat e Mirës

E detyruar të shkruaj për Alketa “gënjeshtaren”

E detyruar të shkruaj për Alketa “gënjeshtaren”

Nuk jam një fanse e Alketës në prezantim, nuk jam një fanse as e ndonjë prezantueseje tjetër, ngaqë jam pak me të vjetrën dhe me ka ngecur ora tek Ema Troplini. Por nuk jam as alergjike ndaj vajzave që prezantojnë. Më të mira se Barbara d’Urso më duken të gjitha, si fillim. Personalisht mendoj që Xhemi Shehu do kish qenë Star i pakonkurrueshëm në treg, por bukuria dhe humori nuk mjaftojnë në botën e televizionit. Rikthehemi në temë! Alketa Vejsiu, përtej botës së televizionit është një vajzë e zonja ndër më të arrirat në lëmin e vajzave të ekranit. Ka një biznes, që e drejton pa modesti, nënë e dy fëmijëve dhe me një bashkëshort prej mbi 15 vitesh. Asgjë nuk është e thjeshtë besoj edhe për Alketën, dhe fakti që ka ditur të ndërtojë dy Alketa: një për ekranin dhe një për jetën private. Është zgjedhje e saj dhe aspak e anatemueshme. Dalja e një vajze shqiptare jo se këndon e jeton në Itali, por e një prezantueseje që shkon nga Tirana në Sanremo është një hap para. Të dalësh e t’u flasësh 65 milionë njerëzve nga një vend ku u flet 2.8 milion njerëzve nuk është shaka. Dy ditë pas shfaqjes së Alketës rrjeti mori flakë nga një deklaratë e saj, kur pa shumë vetëpërmbajtje në stilin klasik të Vejsiut, ajo i pohonte Amadeusit se kishte qenë e vetmja që ka prezantuar dhe drejtuar artistikisht një festival. Alketa i thotë prezantuesit dhe Drejtuesit artistik të Sanremos se kishte bërë idem rolin e tij! Nuk ka gënjyer, por as ka thënë të vërtetën. E dini përse? Si në gjyq, si kudo në jetë, ka shumë rëndësi mënyra. Në thelb ndryshe nga shumë armiq në rastin më të mirë të deklaratës së Vejsiut dhe jo të saj, mendoj se ajo ka dashur të thotë producenten artistike, kur ka sqaruar pa pikë e presje faktin e pabesueshëm që iu besua asaj një Festival Burrash prej vitesh e vitesh. Në fakt, para saj ka qenë Inva Mula drejtore artistike, por Mula nuk e prezantoi dhe ndoshta për këtë fakt Vejsiu e sheh veten rast të izoluar. Para Vejsiut kanë prezantuar diva Festivalin e RTSh si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani etj. Madje në Komunizëm kemi qenë shumë më para se italianët në drejtim të respektit të gruas, por Alketa ka qenë shumë e vogël e s’i mban mend ndoshta. Dhe të rrimë shtrembër e të flasim drejt: Problemi i Alketës nuk është gënjeu apo s’gënjeu. Se nëse ne si shoqëri jemi kaq të ndjeshëm ndaj gënjeshtrës do të kishim kryqëzuar pafund çdo ditë njerëz që shpifin, që gënjejnë, politikanë, prezantues, gazetarë, portalistë, faqe anonimësh. Ne i falim gënjeshtarët dhe madje i monumentizojmë ata. Gënjeshtarë që na prishin jetën, dhe jo thjesht shijen e një mbrëmjeje duke ndjekur Sanremon. Por temë e gjatë... Ne nuk na trishton kaq rëndë gënjeshtra o jo, dhe Alketën s’po e sulmojnë apo kritikojnë se vetëm ka gënjyer, por druaj se disa thjesht s’e durojnë dot, s’e duan dhe pikë, e shohin një vajzë që veç shfaqet perfekte, ndonjëherë pak moraliste, por sidomos s’durojnë mënyrën e të treguarit me superlativa, gjë që është në tipin e prezantueses Vejsiu. Po të kishte qenë në vend të saj një njeri që duan të gjithë, kot po them Lorik Cana, dhe ai do të “gënjente” si Alketa, asnjë nuk do të reagonte me kaq indinjatë. Do të mbusheshin rrugët dhe rrjeti me të vetmin prezantues të festivalit. Madje edhe ata që do e kishin prezantuar Festivalin, do të ofroheshin publikisht që nuk e kishin prezantuar. Qenia njerëzore reagon mbi bazë kimie (e thotë edhe profesor Harari). Dhe para sesa të thotë të vërtetën apo një gënjeshtër, se gënjeshtarë janë të gjithë nga pak, Alketa Vejsiu duhet të riparojë kiminë me ekranin dhe shikuesit e saj. Gjithmonë nëse i interesojnë ende 2.8 milionë shqiptarë, dhe nuk ka plane të qëndrojë në Itali. Do doja t’i kërkoja një sqarim, por druaj se do e sqaronte prapë njësoj, dhe Zot na ruaj nga dallga dy. *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]/ Tiranapost.al