Shije

Edhe insektet dehen si njerëzit, madje bëjnë edhe sherre. Ja si ndodh

Nuk do ta besoni, por bletët dhe grerëzat kanë të njëjtat sjellje alkoolike si njerëzit. Dehen dhe bëjnë sherre. Ja si ndodh.
Edhe insektet dehen si njerëzit, madje bëjnë edhe sherre. Ja si

Gazeta WYBORCZA/ Sjellje të tilla kryesisht i vëmë re te speciet që ushqehen me lëngje të fermentuara të cilat bien nga trungjet e pemëve apo nga rrënjët e dëmtuara, sikundër edhe me frutat e rëna nga toka. Një shembull i mirë mund të jetë ai i mushkonjave të frutave, të cilat i shohim shpesh në shtëpitë tona, ose të disa fluturave që kryesisht i gjejmë në kopshtet e shtëpive private. Por ama më të famshmet janë bletët evropiane, që në këtë këndvështrim janë studiuar nga shumë shkencëtarë. Mesa duket, ekzemplarët e ushqyer me metanol në kushte laboratorike dallohej krejt kollaj në sjelljen e tyre nga të tjerët. Fillimisht bëhen hiperaktivë dhe nervozë, e më pas me rritjen e dozës së alkoolit rritet edhe aktiviteti i tyre fizik.

“Gratë” me nerva

Por gjëja më interesante është se bletët nuk ia kanë nevojën shkencëtarëve për t’u dehur. Në natyrë ndodh shpesh herë që nuk e lënë t’u shpëtojë rasti pa u ushqyer me lëngje të fermentuara apo me fruta gjysmë të kalbura të rëna nga pemët. Për pasojë, bletët që fluturojnë pas këtyre ushqimeve shfaqin vështirësi në gjetjen e kosheres. Gjatë udhëtimit, shpesh herë ndalojnë për “të marrë një sy gjumë” nën ndonjë pemë, duke u kthyer në prè të lehta për çdo grabitqar. Por as rikthimi në koshere nuk shënon fundin e problemeve të tyre. Ndodh shpesh që bletët punëtore të cilat bëjnë roje jashtë kosheres u ndalojnë hyrjen, por edhe i largojnë në mënyrë harbute duke i kafshuar këmbët.

Probleme të tilla nuk ekzistojnë për grerëzat, sepse ndryshe nga bletët, formojnë koloni që durojnë një vit. Këto koloni arrijnë pikun e tyre në verë dhe në fillim të vjeshtës. Është kjo koha kur mbretëreshat e ardhshme dhe meshkujt çiftohen, e më pas femrat shkojnë në kërkim të një vendi të sigurt për të kaluar dimrin. Nga ana tjetër, punëtorët dhe meshkujt vdesin me ardhjen e të ftohtit të parë. Por para kësaj, kanë plot kohë të lirë e kështu për javë të tëra vegjetojnë duke ngrënë fruta dhe drunj të dëmtuar.

Për ne, ky është një lajm më se i keq. Grerëzat tërhiqen nga çdo gjë e ëmbël dhe fluturojnë pa drojë te frutashitësit apo te pastiçierët. Një zëvendësues i mirë për këto produkte, është një shishe e sapohapur birre. Pikërisht është kjo arsyeja përse grerëzat na shqetësojnë kur pimë ndonjë pije alkoolike në mjedise të hapura, e madje ato bëhen edhe agresive gjatë vapës së madhe. Por ta mbyllësh shishen nuk shërben për gjë, sepse grerëzat janë në gjendje ta ndjejnë alkoolin edhe në ajër.

Punë “të ndyra”

I keni parasysh grerëzat e mëdha? Shpesh i shohim në pyje apo në bregdet, kur kërkojnë kafshë të ngordhura apo insekte me të cilat ushqehen. Në këtë mënyrë mbajnë të pastra pyjet tona. Hera-herës dieta e tyre varion nga lëngjet e fermentuara te frutat e kalbura, por shpesh zihen në kurth nga kanoçet apo shishet e birrës e të frutave që lëmë në mënyrë të pakujdesshme në pyll. Për këto insekte ato përfaqësojnë gracka vdekjeprurëse sepse në më të shumtën e rasteve nuk janë më në gjendje të dalin. Prandaj me siguri të gjithë keni parë qindra grerëza të mëdha të ngordhura brenda këtyre shisheve. Dëmi për ne njerëzit është më i madh, sepse bëhet fjalë për insekte që pastrojnë pyjet, duke bërë ato punët e “ndyra” që ne nuk na pëlqejnë. Por të paktën, t’ua lehtësojmë paksa, duke mos i lënë këto lloj mbeturinash kuturu./Tiranapost.al, artikull i përkthyer nga gazeta polake “Gazeta WYBORCZA”, nga Erjon Uka.