Ekonomia

2.54 milionë shqiptarë kishin depozitë bankare në 2021

2.54 milionë shqiptarë kishin depozitë bankare në 2021

Numri i shqiptarëve me një depozitë në bankë arriti në rreth 2.54 milionë në fund të vitit 2021.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i depozituesve në sistem për vitin 2021 u rrit me 1% ose afërsisht 26 mijë individë.

Rreth 56.7% e depozituesve në sektorin bankar janë burra dhe pesha e tyre në strukturën e depozituesve është në rritje të lehtë krahasuar me nivelin prej 56.5% të vitit 2020. Po tu referohemi statistikave, numri i depozituesve rezulton edhe më i lartë se numri i shqiptarëve në moshë madhore.

Megjithatë, statistikat përfshijnë edhe depozitues që nuk janë detyrimisht rezidentë në Shqipëri. Numri total i llogarive depozituese (në sektorin familjar), gjithmonë sipas Bankës së Shqipërisë arriti në 3.56 milionë, në rënie me 4.8% krahasuar me vitin 2020.

Shqipëria është një nga ekonomitë me shkallën më të lartë të kursimit në Rajon. Vlerësohet se depozitat bankare janë afërsisht sa 74% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në sektorin bankar shqiptar në nëntor 2022 ishte 1.51 trilionë lekë, në rritje me 8.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Depozitat e familjeve vazhdojnë të jenë dominuese në strukturën totale, me rreth 1.2 miliardë lekë ose 80% të totalit. Megjithatë, rritja vjetore e depozitave të individëve deri në fund të nëntorit ishte më e ulët se rritja mesatare, me 7.2%.

Vitin e kaluar, rritja e depozitave bankare u ngadalësua disi, për shkak të efektit negativ të inflacionit të lartë mbi kursimet.

Nga ana tjetër, një pjesë e depozituesve preferuan ti zhvendosnin kursimet e tyre drejt alternativave më fitimprurëse, kryesisht bonot dhe obligacionet e thesarit të qeverisë shqiptare. Në fazën e parë, rritja e normave të interesit është përcjellë me ritme shumë të shpejta në tregun e bonove dhe obligacioneve të thesarit.

Kjo ka bërë që një pjesë e mirë e kursimeve të shqiptarëve të kanalizohen në tregun e instrumenteve të borxhit qeveritar. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për vitin 2022 blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, rritja graduale e normave të interesi pritet ti bëjë më të leverdishme edhe depozitat. Norma mesatare e interesit të depozitave në lekë shënoi për muajin nëntor nivelin më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat arriti në 1.72%, në rritje për të tretin muaj radhazi. Krahasuar me muajin mars, kur Banka e Shqipërisë nisi ciklin rritës të normës bazë, interesi mesatar i depozitave me afat në lekë është rritur me 1.02 pikë përqindje ose 146%.

Ky artikull u publikua nga Monitor.al dhe u ripostua nga Tiranapost.al