Ekonomia

A i dha fund globalizmit, COVID-19?

A i dha fund globalizmit, COVID-19?

Më pak se 12 muaj më parë të shumtë ishin ata që parashikonin se mbyllja që u shkaktua nga COVID-19 do të sillte fundin e procesit të globalizimit, më së paku ashtu si e kemi përjetuar përgjatë dekadave të fundit. Pandemia ndërpreu qarkullimin normal të njerëzve dhe të mallrave dhe qeveritë filluan të bëjnë plane për të menaxhuar ekonomitë pa varësinë nga vendet e treta.

Megjithatë, sot situata është shumë e ndryshme. Teknologjia mundësoi vazhdimin normal të punëve globale dhe statistikat flasin për shumë pak ndryshime përsa i përket volumit të shkëmbimeve tregtare në rang botëror. Madje, Organizata Botërore e Tregtisë ka njoftuar një rritje prej 8% në tregtinë globale përgjatë 6-mujorit të parë të 2021, duke rikuperuar humbjen prej 5.3% të vitit paraardhës.

Ende vazhdon niveli i ulët i investimeve direkte të huaja, të cilat ranë në masën alarmuese 42% vitin 2020 dhe kapitali i huaj është larguar më tepër nga shtetet e mëdha të Europës. Kjo pasojë vështirë se mund të shmangej në kushtet kur pjesa më e madhe e sipërmarrjeve u mbyllën përkohësisht, ishte e pamundur që investitorë të huaj të ngrinin projekte të reja. Treguesit janë që frika e pandemisë dhe e masave anti-COVID do të dekurajojë investimet direkte të huaja edhe për të ardhmen e parashikueshme.

Mesazhi primar që vjen nga pandemia është se tregtia globale dhe praktikat e bashkëpunimit mes profesionistëve në shtete të ndryshme ishte shumë më pak vulnerabël nga sa ishte menduar nga analistët, por edhe vetë shtet që kishin projeksione shumë më pesimiste në lidhje me pasojat e mundshme të mbylljeve.

Rreziku më i madh përsa i përket globalizimit post-pandemisë është se shtetet mund të krijojnë barriera burokratike për t’u siguruar se do të jenë më pak të varura nga jashtë në rast se skenare të ngjashme si ato të vitit 2020 përsëritet, çka në vetvete mund të dekurajojë investimet dhe fuqizimin e lidhjeve tregtare.

Komisioni Europian në një investigim të bërë së fundmi, vuri re që vetëm 137 produkte nga 5000 që importohen çdo ditë në Union i përket “sektorë sensitivë”, për të cilat KE është zotuar se do të tentojë të shtojë prodhimin vendas dhe të ndërpresë varësinë nga jashtë. Natyrisht vaksinat dhe medikamentet e tjera përbëjnë prioritet. Përveç këtyre sektorëve sensitivë, procesi i globalizimit ekonomik nuk besohet të kërcënohet edhe pas pandemisë.

Përshtatur nga “Project Syndicate”/ tiranapost.al