Ekonomia

Aksionet e Netflix bien 20% për shkak të numrit të ulët të abonimeve

Aksionet e Netflix bien 20% për shkak të numrit të ulët

Numri i abonentëve të Netflix u rrit në 222 milionë vitin e kaluar, por tani duket se rritja e interesit që pa gjatë pandemisë po zbehet.

Në total, Netflix iu shtuan 18.2 milionë anëtarë vitin e kaluar, afërsisht gjysma e numrit që u abonuan në 2020.

Investitorët kishin shpresuar se ritmi do të fillonte të rritet përsëri. Por parashikimi i firmës për vitin 2022 nuk doli sipas parashikimeve, aksionet u ulën pothuajse 20%.

Firma tha se priste të shtonte 2.5 milionë anëtarë në tre muajt e parë të vitit, shumë më pak se sa prisnin analistët.

"Ndërsa mbajtja dhe angazhimi janë të shëndetshme, rritja e blerjeve nuk është ripërshpejtuar ende në nivelet para Covid," tha Netflix.

Netflix, i cili shtoi 8.3 milionë abonentë në tre muajt e fundit të 2021, pohoi se ka ende mundësi për t'u rritur, pasi gjithnjë e më shumë njerëzit po largohen nga televizioni tradicional.

Kompania pranoi se edhe konkurrenca e re nga kompani si Disney, Apple, Amazon dhe HBO kishte filluar të ndikonte.

"Konsumatorët kanë pasur gjithmonë shumë zgjedhje kur bëhet fjalë për kohën e tyre të argëtimit, konkurrencë e cila është rritur gjatë 24 muajve të fundit pasi kompanitë argëtuese në mbarë botën përmirësojnë ofertat e transmetimit," tha firma.

"Edhe pse kjo konkurrencë e shtuar mund të ndikojë pak në rritjen tonë marxhinale, ne vazhdojmë të rritemi në çdo vend dhe rajon në të cilin kanë nisur të përdoren këto alternativa të reja transmetimi."

Netflix po shpenzon miliarda dollarë në krijimin e përmbajtjeve për të mbajtur shikuesit të interesuar. Hitet gjatë tre muajve të fundit të vitit përfshinin një sezon të ri të serialit “The Witcher” dhe satirën “Don't Look Up” i cili tashmë është bërë filmi i dytë më i shikuar në platformë.

Por firma, e cila kohët e fundit rriti çmimet në SHBA dhe Kanada, po përballet me kosto në rritje dhe sfida të tjera.

Të ardhurat u rritën me 16% në tetor, nëntor dhe dhjetor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 7.7 miliardë dollarë. Fitimet tremujore u rritën me 12% në 607 milionë dollarë.