Ekonomia

Alergjia me rrogat e njerëzve të administratës, apo dhe deputetëve dhe një pyetje që se bëjnë populistët

Alergjia me rrogat e njerëzve të administratës, apo dhe

Ka një frymë populiste që mbështjell çdo temë që ka të bëjë me lekët si nocion. Nuk ka rëndësi se si qëndron e drejta dhe e vërteta, apo logjika. Të gjithë futen në debat dhe i hedhin benzinë zjarrit.

Gjatë ditës së sotme kryefjalë ka qenë tema e rritjes së rrogave për administratën. Bëhet fjalë për një rritje nga 30- 40% për administratën dhe 50% për deputetët dhe ministrat.

Të enjten pritet që parlamenti të votojë edhe për rrogat e veta.

A duhet të votojnë deputetët për rrogat e tyre? A është morale? Etike? Po.

E para deputetët s’janë të gjithë të pasur, biznesmenë apo hajdutë. E dyta, që deputeti të jetë profesion meriton të paguhet dhe kështu më shumë idealistë do ta aspirojnë dhe nuk do ta shohin si vendin ku bëhen pazare.

Deputetët kanë votuar edhe ligje për oligarkinë në rastin më të keq dhe një votë për veten për një rrogë të ligjshme dhe që tenton, të paktën teorikisht krijon një dinjitet më të madh për ta.

Administrata publike nuk është e gjitha e korruptuar dhe as e gjitha e mykur dhe e plogësht. Ka njerëz që duan të punojnë dhe të kenë një jetë dinjitoze.

Rrritja e rrogave për këta njerëz do frenonte largimin e tyre nga vendi dhe teorikisht do të frenojë abuzivizmin.

Problemi i vetëm me rrogat dhe rritjet e tyre është tek pyetja nëse janë bazuar në parashikime financiara të qarta. Nëse janë bërë në mënyrë që vendi mos të vuajë pasojat 10 vjet më vonë, apo 20 e 30.

Kjo është e pashpjeguar mirë. Dhe siç ndodh me rrjetin dhe kakofoninë e opinioneve gjithmonë pyetjet e duhura as bëhen dhe as marrin përgjigje sepse emocionet dhe komentet në ajër e populiste sot vjedhin çdo logjikë dhe arsye.