Ekonomia

AP News: Inflacioni arrin nivelin rekord prej 7.5% në vendet e eurozonës

AP News: Inflacioni arrin nivelin rekord prej 7.5% në vendet e

Inflacioni theu rekord për 19 vendet e eurozonës, si pasojë e rritjes së çmimeve të karburantit shkaktuar prej luftës në Ukrainë, duke i shtuar një barrë të re financiare familjeve sidomos pas pandemisë.

Inflacioni vjetor arriti në 7.5% për prillin, më i larti që nga 1997-ta.

Çmimet e energjisë u rritën me 38%. Frika se lufta mund të çojë në një ndërprerje të furnizimeve me naftë ose gaz nga Rusia, ka rritur çmimet e karburanteve.

Inflacioni i lartë pasqyrohet në politikë dhe ekonomi, ndërsa qeveritë miratojnë mbështetje në para për familjet e prekura më rëndë.

Gjermania po heq tarifën për mbështetjen e energjisë së rinovueshme në faturat e energjisë elektrike, duke i kursyer një familjeje me katër anëtarë rreth 300 euro (317 dollarë) në vit. Sindikata industriale IG Metall e Gjermanisë po propozon një rritje vjetore prej 8.2% për punëtorët e çelikut të vendit që hyjnë në bisedime për pagat.

Frika nga çmimet edhe më të larta të ngrohjes, energjisë elektrike dhe karburantit të automjeteve janë faktori që pengon qeveritë evropiane të vendosin të ndalojnë importet e energjisë nga Rusia si pjesë e sanksioneve për pushtimin e Ukrainës nga Kremlini.

Inflacioni po i ushtron gjithashtu presion Bankës Qendrore Evropiane për të konsideruar rritjen e normave të interesit në muajt e ardhshëm.

Kjo mund të pengojë ringritjen.

Rritja ekonomike në 19 vendet anëtare të BE-së u ngadalësua në 0.2% në tre muajt e parë të vitit, pasi kufizimet gjatë përhapjes së Omikron, bashkë me inflacionin më të lartë mbajtën të ulët kërkesën për shërbime, që kërkojnë praninë fizike të qytetarëve. Shifra e tremujorit të parë ishte në rënie me 0.3% krahasuar tre muajt e fundit të 2021.