Ekonomia

Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit

Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e sotme që të rrisë normën bazë të interesit duke e çuar atë në 3% nga 2.75% që është aktualisht.

Guvernatori i BSH, Gent Sejko, në një deklaratë për mediat, bëri të ditur se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të rrisë edhe normën e interesit për kredinë 1-ditore dhe të depozitës 1-ditore.

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e sotme të rrisë normën bazë të interesit me 0.25% nga niveli 2.75% në nivelin e 3%. Gjithashtu, të rrisë normën e interesit të kredisë 1-ditore nga niveli 3.75% në nivelin e 4%. Të rrisë normën e interesit të depozitës 1-ditore nga niveli 1.75% në nivelin e 2%. Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se presionet e larta inflacioniste që burojnë nga ambienti i brendshëm janë një faktor i rëndësishëm rreziku, së pari për respektimin e objektivit të stabilitetit dhe të çmimeve, dhe më tej për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”, deklaroi Guvernatori Gent Sejko.

Në muajt Janar dhe Shkurt 2023, inflacioni në vend erdhi në trend zbritës, tha Sejko.

“Inflacioni shënoi rënie gjatë dy muajve të parë të vitit, duke shënuar vlerat respektive prej 7.2% dhe 7.1% në muajt janar dhe shkurt. Trendi rënës i inflacionit, i nisur që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, ishte në përputhje me pritjet tona. Megjithatë, niveli i inflacionit në dy muajt e parë të vitit ishte në kahun e sipërm të pritjeve. Në këndvështrimin e shportës, rënia e inflacionit u diktua nga një rritje më e ngadaltë vjetore e çmimeve të naftës dhe të ushqimeve, në linjë dhe me tendencat e vëna re në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i lartë dhe i qëndrueshëm. Në këndvështrimin makroekonomik, kjo ecuri u diktua nga reduktimi i inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten të larta. Këto presione ushqehen nga kërkesa e lartë për mallra e shërbime, nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit, si dhe nga pritjet e agjentëve ekonomikë për rritje të mëtejshme të çmimeve”, tha ndër të tjera Guvernatori i BSH.