Ekonomia

Banka e Shqipërisë rrit normën e interesit me 0.5%! Gent Sejko: Shtrenjtimi i ushqimeve do të vijojë

Banka e Shqipërisë rrit normën e interesit me 0.5%! Gent Sejko:
Guvernatori i bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka deklaruar pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se inflacioni është vlerësuar si rreziku kryesor i ekonomisë dhe për këtë arsye norma bazë e interesit do të rritet me 0.5%.

Sejko shtoi se nivelet e larta të inflacionit janë rreziku kryesor për ekonominë e vendit, ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve do të vijojë.

“Rritja e çmimeve është e konsiderueshme në të gjitha produktet e shportës. Çmimet në tregjet botërore po rriten prej luftës në Ukrainë, bankat kanë rritur normat e interesit dhe pasiguria mbetet e lartë. Inflacioni do të kulmojë këtë 6 mujor të dytë. Ne do të normalizojmë politikën monetare, për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Inflacioni do kthehet në objektiv në vitin 2024, por projeksionet janë në përditësim në varësi të situatës. Nivelet e larta të inflacionit janë rrziku kryesor për ekonominë e vendit. Për këtë arsye, në respektim të objektivit të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

-të rrisë me 0. 5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.25% në nivelin 1.75%;

-të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 2.25% në nivelin 2.75%;

-të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.25% në nivelin 0.75%. Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes dinamikën e presioneve inflacioniste në periudhën në vijim. Ai mbetet i gatshëm të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend”, tha Sejko.

Tiranapost.al