Ekonomia

Banka e Shqipërisë vendos normën e interesit më të ulët në histori

Banka e Shqipërisë vendos normën e interesit më të

Banka e Shqipërisë do të ulë normën e interesit nga 1% në 0,5%, si një masë e ndërmarrë për të lehtësuar efektet ekonomike që ketë vendi nga lufta me koronavirusin.

Në një deklaratë për mediat, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko njoftoi uljen e normës bazë të interesit nga 1% në 0,5%, niveli më i ulët ky në histori.

“Kjo është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re. Një masë për të minimizuar pasojat e pandemisë”, tha Sejko.

Pjesë nga deklarata e Sejkos:

Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

-Të ulë normën bazë të interesit, nga 1.0% në 0.5%;
-Të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga 1.9% në 0.9%;
-Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 0.1%.

Nga njëra anë, reduktimi i përkohshëm i prodhimit dhe punësimit sjell uljen e ofertës së mallrave e shërbimeve në treg dhe reduktimin e të ardhurave të familjeve. Nga ana tjetër, distancimi social sjell rënien e kërkesës, si dhe tkurrjen e shitjeve, të të ardhurave dhe të likuiditetit të bizneseve.

Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo ndihmon funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes.