Euro në rënie, prek nivelin më të ulët në një muaj ndaj Lekut
Leku po fiton terren këtë javë në kursin e këmbimit me Euron. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane këmbehej të enjten me 106.23 lekë, në rënie me 0.7 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Kursi Euro-Lek ka zbritur në nivelin më të ulët që prej datës 22 gusht.
Edhe shumica e valutave të tjera po ndjekin rënien e Euros. Paundi Britanik zbriti në 122.54 lekë, niveli më i ulët që prej mesit të muajit gusht. Franga zvicerane zbriti në 110.06 lekë, edhe kjo në nivelin më të ulët prej një muaji.
Dollari Amerikan ngelet poshtë nivelit të 100 lekëve, por megjithatë të enjten shënoi një rritje të lehtë dhe u këmbye me 99.67 lekë.
Edhe muaji shtator po konfirmon pozitat e forta të Lekut në kursin e këmbimit valutor. Megjithëse periudha e pikut e sezonit turistik ka kaluar, monedha europiane nuk ka arritur një ringritje të qëndrueshme. Mes datave 23 dhe 25 gusht, kursi i Euros fitoi pothuajse pesë pikë brenda tre ditëve, duke arritur deri në nivelin e 110.67 lekëve.
Por, ashtu siç ka ndodhur disa herë të tjera këtë vit, forcimi i Euros ka rezultuar shumë afatshkurtër.