Kursi i këmbimit të Euros me Lekun po shfaq një luahtshmëri pothuajse të paprecedentë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të enjten me 104.7 lekë, në rritje me 2.75 pikë krahasuar me ditën e djeshme.
Pasi pati rënë me afërsisht tre pikë ditën e hënë, kursi ka lëvizur në kah komplet të kundërt, brenda tre ditëve. Sipas ekspertëve, lëvizjet me intervale të tilla në kahe të kundërt janë tregues se ecuria e kursit nuk është normale dhe tregu duket nën ndikimin e faktorëve psikologjikë ose spekulativë.
Sipas burimeve nga tregu, rritja e fortë e kursit që nisi qysh pasditen e të mërkurës mund të jetë e lidhur me sinjalet e dhëna nga Banka e Shqipërisë. Guvernatori Sejko tha dje se rënia e fortë e kursit gjatë muajit korrik mund të mos jetë reflektim i kushteve fondamentale të tregut, duke paralajmëruar një ndërhyrje të bankës qendrore.
Sipas Guvernatorit, kjo ndërhyrje mund të bëhet duke rritur shumat e blerjes në ankandet e planifikuara qysh më parë nga Banka e Shqipërisë, në funksion të menaxhimit të rezervës valutore.
Burime bëjnë të ditur se bankat janë njoftuar se shumat e blera në ankandin e nesërm priten të jenë ndjeshëm më të mëdha se vlerat e parashikuara më parë. Të gjitha këto sinjale mund të kenë sjellë një rritje të kërkesës së bankave në tregun valutor dhe rritjen e shpejtë të kursit.
Megjithëse konfirmoi angazhimin ndaj regjimit të lirë të kursit të këmbimit, Guvernatori Sejko la të kuptohej dje se Banka e Shqipërisë nuk do të lejojë një mbiçmim të mëtejshëm të monedhës vendase, të paktën në afatin e shkurtër. Në këtë kuptim, ndoshta qëllimi është që Euro të mos lejohet të bjerë poshtë kuotës së 100 lekëve.
Në deklaratën e djeshme, këshilli Mbikëqyrës u shpreh se forcimi i Lekut ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojten e ekonomisë shqiptare nga vala inflacioniste dhe, mes të tjerash, ka lejuar mbajtjen e normave më të ulëta të interesit krahasuar me ekonomitë e tjera të Europës. Por, nga ana tjetër, forcimi i mëtejshëm i Lekut mund të dëmtojë rëndë sektorët eksportues të ekonomisë, duke përfshirë turizmin dhe të dëmtojë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Megjithatë, mekanizmi që Banka e Shqipërisë ka zgjedhur për ta bërë këtë është i diskutueshëm. Ankandet e blerjes së valutës janë një instrument që përdoret për menaxhimin e rezervës valutore dhe si rregull nuk kanë qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit. Përdorimi i tyre duket si një artificë për të shmangur ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në treg, gjë që Banka e Shqipërisë mund ta bëjë vetëm për të korrigjuar çrregullimet afatshkurtra të kursit të këmbimit.
Sipas Guvernatorit Sejko, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 170 milionë euro deri tani gjatë këtij viti, kryesisht nëpërmjet ankandeve të programuara për nevojat e rezervës valutore, por edhe nëpërmjet një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë më datë 20 korrik./Monitor