Ekonomia

Gazprom do të shkurtojë edhe një herë në mënyrë drastike furnizimet me gaz në BE

Gazprom do të shkurtojë edhe një herë në

Gjigandi rus i energjisë Gazprom thotë se do të shkurtojë edhe një herë në mënyrë drastike furnizimet me gaz në BE përmes tubacionit të tij kryesor për shkak të mirëmbajtjes.

Gazprom tha se ndalimi i një turbine tjetër në tubacionin Nord Stream 1 do të reduktonte prodhimin ditor të gazit në 20%, duke përgjysmuar nivelin aktual të furnizimit.

Qeveria gjermane tha se nuk kishte asnjë arsye teknike për të kufizuar furnizimin me gaz. Kjo ka të ngjarë ta bëjë edhe më të vështirë për vendet e BE-së rimbushjen e rezervave të gazit përpara dimrit.

Tubacioni Nord Stream 1, i cili pompon gazin nga Rusia në Gjermani, ka funksionuar shumë nën kapacitetin normal për javë të tëra dhe u mbyll plotësisht për një pushim 10-ditor në fillim të këtij muaji.

Rusia furnizoi BE-në me 40% të gazit të saj vitin e kaluar dhe BE-ja e ka akuzuar Rusinë për përdorimin e energjisë si armë.

Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve që të reduktojnë përdorimin e gazit me 15% gjatë shtatë muajve të ardhshëm pasi Rusia paralajmëroi se mund të frenojë ose ndalojë plotësisht furnizimet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se mundësia që Rusia të ndërpresë të gjitha furnizimet në BE është një skenar i mundshëm.

Të martën ministrat e energjisë do të takohen në Bruksel në një përpjekje për të nënshkruar planet.

Çmimet e gazit me shumicë janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, me një ndikim negativ në faturat e energjisë së konsumatorit.