Ekonomia

Hapet provizorisht aksi Palasë-Dhërmi, Balluku: Në qershor do të jetë i përfunduar

Hapet provizorisht aksi Palasë-Dhërmi, Balluku: Në qershor do

Aksi Palasë-Dhërmi mund të aksesohet këtë fund sezoni për të gjithë pushuesit që zgjedhin të shkojnë në jug. Rruga e re është hapur sot provizorisht ndërkohë që punimet për të pritet të vijojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Sipas ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, hapja e parakohshme e këtij aksi bëhet për të shmangur trafikun e rënduar drejt fshatrave turistikë të jugut, ndërkohë që vitin e ardhshëm ajo do të dorëzohet e plotë së bashku me korsitë e këmbësorëve dhe të bicikletave.

“Kemi vendosur ta hapim në mënyrë provizore për javët që kanë mbetur në funksion të pushuesve. Do të ndihmojë që të mos kemi më atë trafik të rënduar që kemi pasur në rrugën nga Palasa në Dhërmi. Kështu që të gjithë ata që do të aksesojnë zonën e Dhërmiut do të përdorin këtë rrugë ndërsa pjesa tjetër do të vazhdojë në rrugën tradicionale. Deri në 30 qershorin tjetër i gjithë projekti për këtë rrugë do të jetë i përfunduar me gjithë elementët e sigurisë”, tha Balluku.

Sa i takon tunelit të Llogarasë, Balluku tha se kanë përfunduar gërmimet për më shumë se gjysmën e tij. Ministrja po ashtu njoftoi se pas disa ditësh do inaugurohet edhe hapja e rrethrrotullimit të TEG-ut, që i jep zgjidhje përfundimtare trafikut hyrës në Tiranë.