Ekonomia

Hungaria shtrenjtëson naftën për të huajt

Hungaria shtrenjtëson naftën për të huajt

Prej të premtes, shoferët e huaj në Hungari do të paguajnë çmim më të lartë për naftë, në krahasim me shtetasit hungarezë.

Sipas dekretit të ri, makinat me targa të huaja nuk do të mund të furnizohen me çmimin fiks prej 1.32 eurosh për një litër naftë, por do të paguajnë çmimin e tregut.

Sipas raportimeve në media, ky çmim është mesatarisht 40 për qind më i lartë sesa ai për banorët.

Qeveria e nacionalistit të krahut të djathtë, Viktor Orban, ka vendosur çmim fiks për naftën në nëntor të vitit të kaluar.

Rregullorja, e cila është e vlefshme deri më 1 korrik, ka pasur synim që të garantojë që shoferët hungarezë të mos përballen me rritjen globale të çmimeve.

Deri më tani, edhe shoferët e huaj kanë mundur të furnizohen me naftë në Hungari sipas çmimit fiks.

Megjithatë, përfaqësuesit qeveritarë kanë marrë vendim të enjten që tani e tutje për të huajt do të zbatohet çmimi i tregut.