Ekonomia

Çlirim nga taksat deri në 2029-për biznesin e vogël: Ahmetaj bën sqarimet e planit

Çlirim nga taksat deri në 2029-për biznesin e vogël:

E përmendi kryeministri Rama mbrëmë i cili tha se është pjesë e planit kombëtar deri në vitin 2030, ndërsa sot ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj tregoi detaje të planit që parashikon: të gjitha bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit nuk do të paguajnë tatimin mbi fitimin deri në vitin 2029.
 
Çfarë do të thotë kjo konkretisht?  Ministri Ahmetaj në deklaratë për shtyp tha:

Brenda planit kombëtar 2030, siç e ka konfirmuar dhe kryeministri Edi Rama, do të ketë një masë të rëndësishme për shumicën e shqiptarëve që punojnë në sektorin privat. Për shqiptarët që bëjnë ose punojnë në biznesin e vogël. Kryeministri dje ka komunikuar iniciativën e fundit për çlirimin nga taksat për te gjithë biznesin e vogël deri në xhiron 14 milionë lekë. Zero tatim fitimi për të gjithë biznesin e vogël deri në vitin 2029. Zerimi i tatimit mund te shoqërohet me heqje te vlerës se tatimit te shtuar. Zerimi i tatim fitimit mund të shoqërohet me heqjen e TVSH. Ne kemi angazhuar një sërë specialistësh në kuadrin e planit kombëtar 2030 për të pasur aty reflektim për çdo shqiptar që do të jetojë me punë të ndershme dhe për çdo shqiptar që do ti kthehet atdheut.

Në korrik të këtij viti do ketë prezantimin në parlament. 

Si është aktualisht?

Tatimi mbi fitimin që paguajnë bizneset e vogla me xhiro nga 8 deri në 14 milionë lekë, është në vlerën e 5%, nga 5 deri në 8 milionë paguajnë tatimin e thjeshtuar, ndërsa bizneset me xhiro nga 0 deri në 5 milionë nuk paguajnë tatim.

Në Shqipëri janë përafërsisht rreth 90 mijë biznese që i përkasin kategorisë së biznesit të vogël.