Ekonomia

Mbyllja e ‘15 Katëshit’, kryetari i Sektorit të Hoteleve: E pritshme, jemi në prag të gjendjes emergjente!

Mbyllja e ‘15 Katëshit’, kryetari i Sektorit të Hoteleve:

'15 Katëshi' në kryeqytet mbylli dyert ditën e sotme për herë të dytë brenda vitit. Vendimi u mor për shkak të pandemisë dhe humbjet janë të mëdha pasi 100 persona mbeten të papunë.

Kryetari i sektorit të Hoteleve nga Shoqata e Shqiptare të Turizmit thotë se kjo është një periudhë shumë e rëndë për gjithë sektorin dhe vendimi i mbylljes së ’15 Katëshit’ pritej. Ai thotë edhe se masat e qeverisë për të rimëkëmbur këtë industri nuk janë të duhurat:

"Është një situatë e e pritshme pasi pjesa më e madhe e hoteleve në Shqipëri janë në kushtet e emergjencës, janë në prag të gjendjes emergjente, kanë ndezur llampën e kuqe, pasi situata nuk ka ndërmend të përmirësohet deri në në pranverë. Masat e marra për të rimëkëmbur këtë industri nuk janë ato të duhurat dhe sigurisht që pasojat do të jenë. Strukturat e mëdha do fillojnë gradualisht duke u mbyllur në pamundësi për të paguar taksat dhe punonjësit. Do të mbijetojnë ato që kanë mbetur me menaxhim kryesisht familjar".

Zak Topuzi shton se masat ndaj koronavirusit kanë shtuar vështirësitë, që në fakt jo vetëm në Shqipëri por pothuaj në gjithë botën kanë goditur sektorët ekonominë:

"Hotelet thuajse janë të mbyllur. Me kapacitet 10% është thuajse e pamundur mbijetesa për arsye të kostove të mëdha. Taksat janë të papërballueshme. Vazhdohet të paguhet taksa e pronës, e cila nuk është hequr ende.

Me vendime qeverie janë kufizuar aktivitetet, që nga sallat e mbledhjeve, ditëlindjet, grumbullimet me jo më shumë se 10 veta. Të gjitha këto sjellin një situatë të vështirë dhe është e pamundur që industria turistike të mbijetojë në kushtet kur kufijtë janë  mbyllur dhe i vetmi furnizim janë nga Kosova dhe Maqedonia".

Ai thotë se vendet e rajonit kanë bërë hapa më të rëndësishëm për të mbështetur sektorin.

*Intervista në Report Tv/Tiranapost.al.