Me tren nga Durrësi në Prishtinë, çfarë parashikon tjetër Rindërtimi i Korridorit 8

Ndërtimi i Korridorit 8 mbetet një objektiv i rëndësishëm për qeverinë shqiptare, si një mundësi që do të rrisë edhe më tej shkëmbimet mes vendeve të rajonit.
Teksa mori pjesë në tryezën për transportin të zhvilluar në Prishtinë, ministrja e Transportit Belinda Balluku theksoi se pjesë e këtij korridori është edhe rrjeti hekurudhor nga Durrësi në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
“Objektivat tona kryesore strategjike në këtë lidhje është rikualifikimi dhe rindërtimi i Korridorit 8 sipas standardeve evropiane për infrastrukturën hekurudhore dhe rrugore. Në rastin tonë lidhja e Korridorit 8 prej Durrësit në kufi me Maqedoninë e Veriut është pjesë e një rrjeti gjithëpërfshirës ndërsa rruga e Korridorit 8 prej Elbasanit deri në kufi me Shqipërinë veriore është pjesë e rrjetit thelbësor, siç e dini ky korridor multimodal i rëndësishëm nuk ka qenë i përfshirë në planin kryesor të investimit ekonomik dhe infrastrukturor të BE për Ballkanin Perëndimor”.
Një tjetër projekt të cilin qeveria shqiptare e ka shpallur si prioritet është edhe ai i ndërtimit të hekurudhës Durrës- Prishtinë.
“Ndërtimi i linjës hekurudhore prej Durrësit në Prishtinë që ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë por edhe për Kosovën do të jetë një lidhje e cila do pësojë zhvillim të shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave së pari mes Shqipërisë dhe Kosovës e më pas për nevojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor e më tej”.
Në Konferencën për Transportin u nënvizua se lufta në Ukrainë po tregon se sa i rëndësishëm mbetet lidhja e korridorit të 8 nga Adriatiku me Detin e Zi.