Ekonomia

Ndryshimet klimatike kanë shkatërruar stokun e orizit në Indi. Ndalimi i eksportit mund të shkaktojë një krizë globale ushqimore

Ndryshimet klimatike kanë shkatërruar stokun e orizit në Indi.

Satish Kumar ulet përballë fushës së përmbytur të orizit në shtetin Haryana të Indisë, duke parë me dëshpërim të korrat e tij të rrënuara.

“Kam pësuar një humbje të madhe,” tha fermeri i gjeneratës së tretë, i cili mbështetet vetëm në rritjen e këtij drithi për të ushqyer familjen e tij të re. “Unë nuk do të mund të prodhoj asgjë deri në nëntor” rrëfen ai.

Fidanët e sapombjellë kanë qenë nën ujë që nga korriku, pas shiut të rrëmbyeshëm që goditi veriun e Indisë, me rrëshqitje të dheut dhe përmbytje që përfshinë rajonin.

Kumar tha se nuk ka parë përmbytje të kësaj shkalle prej vitesh dhe është detyruar të marrë hua për të rimbjellë arat e tij përsëri. Por ky nuk është problemi i vetëm me të cilin përballet.

Muajin e kaluar, India, e cila është eksportuesja më e madhe në botë e orizit, njoftoi një ndalim të eksportit të orizit të bardhë në një përpjekje për të qetësuar rritjen e çmimeve dhe për të garantuar sigurinë ushqimore. Më pas India ndoqi më shumë kufizime në eksportet e saj të orizit, duke përfshirë një tarifë prej 20% për eksportet e orizit të zier.

Këto masa kanë shtuar frikën nga inflacioni global i ushqimit duke bërë që disa vende të varura nga orizi të kërkojnë përjashtime urgjente prej tyre.

Më shumë se tre miliardë njerëz në mbarë botën mbështeten te orizi si një ushqim bazë dhe India kontribuon në rreth 40% të eksporteve globale të produktit.

Ekonomistët thonë se ndalimi është vetëm masa e fundit e ndërprerjes së furnizimit global të ushqimit, i cili ka vuajtur edhe nga pushtimi rus i Ukrainës, si dhe nga pasojat e ngrohjes globale dhe fenomenit El Niño.

Ata paralajmërojnë se vendimi i qeverisë indiane mund të ketë pasoja të rënda sidomos për vendet e varfra.

Fermerët si Kumar thonë se rritja e çmimeve të shkaktuara nga korrjet e dobëta nuk rezulton e papritur për ta.

“Ndalimi do të ketë një efekt negativ për të gjithë ne. Ne nuk do të kemi një fitim më të lartë nëse orizi nuk eksportohet”, tha Kumar. “Përmbytjet ishin një goditje vdekjeprurëse për ne fermerët. Ky ndalim do të na shkatërrojë,” vijon ai.

Ndryshimet klimatike kanë shkatërruar stokun e orizit në Indi.

'Shqetësuese për të gjithë'

Njoftimi i papritur i ndalimit të eksportit shkaktoi blerje paniku në Shtetet e Bashkuara, duke bërë që dhe çmimi i orizit të rritet.

India nuk ishte vendi i parë që ndaloi eksportet e ushqimit për të siguruar furnizim të mjaftueshëm për konsumin e brendshëm. Por lëvizja e saj, që erdhi vetëm një javë pasi Rusia u tërhoq nga marrëveshja e drithit në Detin e Zi, një pakt vendimtar që lejonte eksportin e drithit nga Ukraina, kontribuoi në shqetësimet globale në lidhje me disponueshmërinë e produkteve kryesore të drithit dhe nëse miliona njerëz do të mbeten të uritur.

“Orizi, gruri dhe të korrat e misrit përbëjnë pjesën më të madhe të ushqimit që konsumojnë njerëzit e varfër në mbarë botën,” tha për CNN Arif Husain, kryeekonomist në Programin Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP).

Nepali ka patur rritje të mëdha të çmimeve të orizit që kur India shpalli ndalimin e eksportit, e po ashtu në Vietnam çmimet e orizit janë më të lartat në më shumë se një dekadë, sipas të dhënave doganore.

Tajlanda, eksportuesi i dytë më i madh në botë i orizit pas Indisë, ka pasur gjithashtu rritje të ndjeshme të çmimeve vendase të orizit në javët e fundit, sipas të dhënave nga Shoqata Tajlandeze e Eksportuesve të Orizit.

Vende si Singapori, Indonezia dhe Filipinet i kanë bërë thirrje Nju Delhit që të rifillojë eksportet e orizit në vendet e tyre, sipas raporteve të mediave lokale indiane. CNN ka kontaktuar me Ministrinë e Bujqësisë të Indisë, por nuk ka marrë një përgjigje.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka inkurajuar Indinë që të heqë kufizimet.

“Ne do të inkurajonim heqjen e këtyre llojeve të kufizimeve të eksportit sepse ato mund të jenë të dëmshme globalisht,” tha kryeekonomisti i FMN, Pierre-Olivier Gourinchas.

Tani, ekziston frika se ndalimi po përgatit tregun botëror për veprime të ngjashme nga furnitorët rivalë, paralajmërojnë ekonomistët.

“Ndalimi i eksporteve po ndodh në një kohë kur vendet po luftojnë me borxhin e lartë, inflacionin e ushqimit dhe rënien e valutave të zhvlerësuara, - tha Husain, dhe kjo është shqetësuese për të gjithë.”

Ndryshimet klimatike kanë shkatërruar stokun e orizit në Indi.

Fermerët goditen rëndë

Fermerët indianë përbëjnë gati gjysmën e fuqisë punëtore të vendit, sipas të dhënave të qeverisë, me oriz të kultivuar kryesisht në shtetet qendrore, jugore dhe veriore.

Mbjellja e kulturave verore zakonisht fillon në qershor, kur pritet të fillojnë shirat e musonit, pasi ujitja është thelbësore për të rritur një rendiment të shëndetshëm. Sezoni i verës përbën më shumë se 80% të prodhimit total të orizit të Indisë, sipas Reuters.

Këtë vit, megjithatë, ardhja e vonë e musonit çoi në një deficit të madh uji deri në mes të qershorit. Dhe kur më në fund erdhën shirat, përmbytën zona të vendit, duke shkaktuar përmbytje me dëme të konsiderueshme në të mbjella.

Surjit Singh, 53 vjeç, një fermer i gjeneratës së tretë nga Harayana tha se ata humbën gjithçka pas shirave.

“Më janë shkatërruar të korrat e orizit. Uji përmbyti thuajse të gjitha të korrat e mia. Ajo që mbolla (në fillim të qershorit) është zhdukur…” thotë Singh.

Organizata Botërore Meteorologjike muajin e kaluar paralajmëroi se qeveritë duhet të përgatiten për ngjarje më ekstreme të motit dhe temperatura rekord, pasi shpalli fillimin e fenomenit të ngrohjes El Niño.

El Niño është një fenomen klimatik natyror në Oqeanin Paqësor tropikal që sjell temperatura më të ngrohta se mesatarja e sipërfaqes së detit dhe ka një ndikim të madh në motin në të gjithë globin, duke prekur miliarda njerëz.

Ndikimi është ndjerë nga mijëra fermerë në Indi, disa prej të cilëve thonë se tani do të kultivojnë kultura të tjera përveç orizit. Dhe nuk ndalet vetëm me kaq.

Ndryshimet klimatike kanë shkatërruar stokun e orizit në Indi.

Në një nga qendrat më të mëdha të tregtimit të orizit të Nju Delhit, ekziston frika midis tregtarëve se ndalimi i eksportit do të shkaktojë pasoja katastrofike.

“Ndalimi i eksportit i ka lënë tregtarët me sasi të mëdha stoku,” tha tregtari i orizit Roopkaran Singh, - tani duhet të gjejmë blerës të rinj në tregun vendas”.

Por ekspertët paralajmërojnë se efektet do të ndihen shumë përtej kufijve të Indisë.

“Vendet e varfra, vendet importuese të ushqimit, vendet në Afrikën Perëndimore, ato janë në rrezikun më të lartë”, tha Husain nga WFP. “Ndalimi po vjen pas luftës dhe një pandemie globale… Duhet të jemi tepër të kujdesshëm kur bëhet fjalë për produktet tona kryesore, në mënyrë që të mos përfundojmë në rritje të panevojshme të çmimeve. Sepse këto rritje nuk janë pa pasoja.”