Në paketën e fundvitit edhe mësuesit e edukatorët, ja nga sa do përfitojnë

20 mijë lekë të reja për çdo mësues dhe edukatore që ka pagë nën 60 mijë lekë në muaj dhe 10 mijë lekë të reja për ata që kanë pagë mbi 60 mijë lekë në muaj do të japë qeveria në paketën e fundvitit si formë mbështetjeje ndaj inflacionit dhe rritjes së çmimeve.
Kryeministri Rama ka shpjeguar mbrëmjen e sotme se edhe kjo kategori punonjësish, ashtu si dhe e gjithë administrata shtetërore do të përfitojë nga ajo që ai e quajti “Pakoja e Madhe”:
“6045 mësues dhe edukatorë me pagë bruto nën 60 mijë lekë do të përfitojnë 20,000 lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe, ndërkohë që 30,693 mësues dhe edukatorë të tjerë, me pagë bruto mbi 60 mijë lekë falë rritjes së vazhdueshme të pagave, do të marrin 10,000 lekë (të reja) dhe të gjithë së bashku nuk do ta kenë në familjet e tyre shqetësimin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë, në këtë periudhë jo të lehtë për krejt Europën,” shprehet Rama.
Nga kjo paketë do përfitojnë pensionistë dhe personat me aftësi të kufizuara, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, të cilët do të marrin 8 mijë lekë të reja. Për gratë kryefamiljare që trajtohen me ndihmë ekonomike ndihma do të jetë këtë fundvit në masën 20 mijë lekë të reja. Po ashtu, me nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë do të mbështeten edhe punonjësit e Policisë, forcat zjarrfikëse, si dhe efektivët e Forcave të Armatosura.