Ekonomia

Në Samitin e Tiranës pritet të nënshkruhet marrëveshja për uljen e tarifave të roaming

Në Samitin e Tiranës pritet të nënshkruhet marrëveshja

Komisioni Europian dhe RCC drejtuar nga Sekretarja e Përgjithshme Majlinda Bregu, kanë arritur një marrëveshje me operatorët e telefonisë celulare në Europë e Ballkan për të nënshkruar deklaratën e dakordësisë për nisjen e uljes së çmimeve të Roaming BE-Ballkan Perëndimor brenda vitit 2023.

Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet në Samitin e Tiranës që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.

Në Samitin e Procesit të Berlinit në fillim të nëntorit liderët e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM), nënshkruan tre marrëveshje të rëndësishme (për Lirinë e Lëvizjes me Kartë Identifikimi, për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për Doktorët e Mjekësisë, Stomatologët dhe Arkitektët), të koordinuara dhe të ndërmjetësuara nga RCC.

Tashmë, marrëveshjet do të hyjnë në procedurën e ratifikimit në nivel kombëtar, sipas kërkesave të parashikuara nga legjislacioni përkatës i secilës prej Palëve.

Që prej hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Rajonale të Roaming-ut në Ballkanin Perëndimor, roaming me tarifa 0, “Fol si n’shpi” që nga korriku 2021, RCC ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, Bashkimin Evropian dhe operatorët e Ballkanit Perëndimor, si dhe autoritetet në rajon, për reduktimin e roaming-ut edhe mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Sipas statistikave nga draft raporti i trafikut të të dhënave në roaming, numri i përdoruesve të roaming në rajon është rritur me 100%. Në të njëjtën kohë, vëllimi i trafikut të të dhënave u rrit deri në 459%.