Ekonomia

Nga Tërmeti tek Pandemia: Parashikimi i guvernatorit për ekonominë 2020 nuk është optimist

Nga Tërmeti tek Pandemia: Parashikimi i guvernatorit për

Nuk ka një parashikim optimist për ekonominë shqiptare gjatë këtij viti, kjo për shkak të pasojave që nga tërmeti dhe tek pandemia e koronavirusit. Gjatë raportimit sot në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori i Bankës Gent Sejko deklaroi se gjatë këtij viti, ekonomia shqiptare do të pësojë rënie dhe kjo do të shoqërohet me papunësi, rënie të të ardhurave për familjet dhe shtim të kredive me probleme në sektorin bankare.

Guvernatori Sejko:

"Ekonomia shqiptare pritet të shënojë rënie gjatë vitit 2020, rënie e cila do të shoqërohet me reduktim të punësimit e rritje të papunësisë, me rënie të të ardhurave për familjet, si dhe me përkeqësim të situatës financiare të bizneseve dhe shtim të kredive me probleme në sektorin bankar. Kjo goditje erdhi në një moment delikat për ekonominë shqiptare, e cila pësoi dëme dhe humbje ekonomike të vlerësuara në 7.5% të PBB-së nga tërmeti i datës 26 nëntor të vitit të kaluar".

Ndërsa për vitin 2019, guvernatori tha se rrtja ekonomike shënoi nivelin 2.2% nga parashikimi që ishte bërë për 4.1%. Sipas tij faktorët që ndikuan ishin mungesa e prodhimit të energjisë dhe tërmeti i 26 nëntorit.

Guvernatori Sejko: 

"Viti 2019 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare. Mjedisi i huaj ekonomik u shfaq i pafavorshëm, i karakterizuar nga ngadalësimi i ritmeve të rritjes ekonomike, nga inflacioni i ulët, si dhe nga pasiguri të shtuara, si pasojë e forcimit të masave proteksioniste në tregjet botërore. Nga ana tjetër, ekonomia shqiptare vijoi të përfitojë nga rritja e konsumit privat, si dhe nga zgjerimi i eksportit të shërbimeve, kryesisht si pasojë e vijimit të trendit pozitiv të turizmit. Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend u ndikua negativisht nga rënia e fortë e prodhimit të energjisë elektrike, nga përfundimi gradual i investimeve në projektet madhore energjetike, si dhe nga tërmeti i muajit nëntor, i cili shkaktoi dëme dhe humbje të konsiderueshme ekonomike. Për rrjedhojë, rritja ekonomike e vitit 2019 rezultoi në nivelin 2.2%, në rënie kundrejt nivelit 4.1% të shënuar në vitin paraardhës".