Ekonomia

Një regjistër me 100 më të pasurit e vendit për të ballafaquar stilin e jetesës. 32 të parët po hetohen

Një regjistër me 100 më të pasurit e vendit për të

Pas deklaratës së kryeministrit Rama se do të ballafaqohet paga e qytetarëve me stilin e tyre të jetës, puna konkrete ka filluar. Plani fillestar është listimi i 100 më të pasurve të vendit dhe hetimi i deklarimeve të tyre. Sipas zv.ministres së Financave, Vasilika Vjero 32 të parët janë identifikuar dhe hetimi i tyre ka nisur.

“Do të bëhet regjistri me personat më të pasur. Është një proces delikat identifikimi i këtyre individëve dhe i vështirë. Do të përdoren të dhënat që vijnë nga Policia, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave të Pista. I kemi identifikuar sektorët me risk të lartë dhe rezultojnë tregtia, ndërtimi, sigurimet, që janë një treg i ri dhe individët bëjnë jetë luksoze”, tha Vjero për Euronews Albania.

Njësia Antinformalitet ka nisur hetimin e pasurisë për 32 individë që rezulton të shpenzojnë para më shumë se të ardhurat që deklarojnë.

“Këta 32 individë janë të sektorit të ndërtimit dhe sigurimeve. I kemi identifikuar dhe një pjesë kanë pranuar që pagat i kanë të larta, por kompanitë ia kanë deklaruar më pak. Pas intervisitimit të tyre kemi parë një ndryshim të sjelljes së kompanive dhe rishikim të pagës që deklarohet”, tha Vjero.

Ajo shton se janë të mirëpritura denoncimet e qytetarëve për raste të ndryshme, por që sigurisht do të verifikohen për vërtetësinë e tyre, përpara se të veprohet.

Kjo iniciativë ka nxitur reagimin jo vetëm të qytetarëve përmes komenteve të ndryshme në rrjete sociale, por edhe të ekspertëve të ekonomisë. Një prej tyre, Flobens Dilaveri e cilëson lëvizje populiste me qëllim politik më shumë sesa ekonomik.

Lexo më shumë: