Ekonomia

Oferta të përbashkëta turistike Shqipëri-Kosovë

Oferta të përbashkëta turistike Shqipëri-Kosovë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ndodhet në Prishtinë, në një takim të përbashkët me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kryetarët e bashkive dhe turoperatorët e të dy vendeve në nisje të sezonit veror për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit me oferta turistike të përbashkëta.

“Kemi bërë bashkë në një tavolinë për herë të parë tre nivele të bashkëpunimit: në nivelin më të lartë të dy ministrive, të përfaqësuesve të autoriteteve vendore, pra me kryetarët e komunave dhe bashkive nga Kosova e Shqipëria, por vlera e shtuar e këtij takimi është të ulurit bashkë me sektorin privat, përfaqësues të hotelerisë dhe turoperatorëve. Pa asnjë dilemë, turizmi që na vjen nga Kosova është shumë i rëndësishëm, për të mos thënë me i rendësishmi që ne kemi me mbi 2 milione turistë në vit, por është detyra jonë si politikbërëse t’u përgjigjemi kërkesave që vijnë nga sektori privat i turizmit. Morëm shënim kërkesat që do t’i adresojme në mbledhjen e dy qeverive”, tha Kumbaro.

Oferta të përbashkëta turistike Shqipëri-Kosovë

Në konferencën për shtyp, ministrja Kumbaro njoftoi edhe nisjen e punës për platformën e përbashkët dixhitale, që do të shërbejë për promovim dhe informim turistik në dy vendet, një kërkesë e bërë edhe nga turoperatorët gjatë takimit.

Ministrja Rozeta Hajdari tha në fjalën e saj se edhe Kosova e ka kthyer turizmin në prioritet dhe së bashku me Shqipërinë, mund të krijohen shumë mundësi bashkëpunimi

“Gjatë vitit 2021 vizitorët nga Shqipëria përbënin rreth 25% të statistikave të të gjithë vizitorëve të huaj që kanë vizituar Kosovën. Ne besojmë se ky numër do të rritet dhe qarkullimet turistike mes dy vendeve do të shtohen, pasi do të vazhdojmë të punojmë në rritjen e aktiviteteve mes dy vendeve, qoftë ato të promovimit, organizime të tjera shtetërore, por do të punojmë ngushtë edhe në organizimin e tureve dhe krijimin e ofertave të përbashkëta turistike Kosovë-Shqipëri”, tha ndër të tjera Hajdari.

Vizita e ministres Mirela Kumbaro në Kosovë shoqëruar nga kryetarët e disa bashkive shqiptare dhe turoperatorët privatë, vjen dy javë pas pjesëmarrjes së ministrave të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut në turin e organizuar në qarkun e Gjirokastrës.