Ekonomia

OSHEE dhe OST kërkojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike për vitin e ardhshëm

OSHEE dhe OST kërkojnë rritjen e çmimit të energjisë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit kanë bërë aplikimin pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit vitin e ardhshëm. Në Fletoren Zyrtare janë publikuar dy vendimet për rifillimin e procedurës për të shqyrtuar rritjen e çmimeve.

OSHEE dhe OST kërkojnë rritjen e çmimit të energjisë

OSHEE kërkon një rritje të tarifës mesatare të shpërndarjes së energjisë me 34%. Pra, nga 4.79 lekë për kilovat orë që është aktualisht, të bëhet 6.42 lekë për kilovat orë duke filluar vitin që vjen.

Nga rritja e çmimit janë të përjashtuar qytetarët dhe bizneset e vogla, siç ishte deklaruar edhe më herët nga qeveria, teksa do të preken bizneset e mëdha, të lidhur në tensionin 6, 10 dhe 20 kilovolt, si dhe ato në tensionin 35 kilovolt, që janë kryesisht industritë.

Ndërkohë që Operatori i Sistemit të Transmetimit propozon një rritje të tarifës mesatare të transmetimit të energjisë me 96%. Pra, nga 0.75 lekë për kilovat orë që është aktualisht, në 1.54 lekë për kilovat orë duke filluar nga viti i ardhshëm dhe për një periudhë rregullatore 3-vjeçare, 2022-2024, një tarifë mesatare transmetimi prej 1.47 lekë për kilovat orë.

Tani pritet që bordi i Entit Rregullator të Energjisë të marrë vendimin brenda muajit dhjetor.

Tiranapost.al