Ekonomia

Paga maksimale do rritet me të njëjtën vlerë sa ajo minimale, jo më me të njëjtën përqindje

Paga maksimale do rritet me të njëjtën vlerë sa ajo

Ndonëse ka hyrë në fuqi ligji që sanksionon se “Paga maksimale, për efekt kontributi, rritet me të njëjtën masë dhe në të njëjtën kohë me masën që rritet paga minimale në shkallë vendi.”, pas publikimit të tij në Fletoren e fundit zyrtare, zbatimi i tij nuk do të nisë tani.

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, pohoi se vendimi thotë që zbatimi hyn pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Kjo do të thotë që në momentin që qeveria do të vendosë për një tjetër rritje të pagës minimale (aktualisht është 40 mijë lekë), atëherë dhe paga maksimale do të rritet me të njëjtën vlerë dhe jo më në përqindje. Psh, nëse paga minimale bëhet 45 mijë lekë, ose 2 mijë lekë më shumë se sot (+12.5%), atëherë dhe paga maksimale do të rritet me 5 mijë lekë dhe jo më me 12.5% siç ishte praktika më parë.

Ky është një lehtësim për punëdhënësit dhe punëmarrësit me paga të larta pasi deri tani, paga maksimale rritej me të njëjtën përqindje që rritej ajo minimale, duke rënduar ndjeshëm si punëdhënsit dhe punëmarrësit.

Ndërkohë, punëdhënësit dhe punëmarrësit me paga të larta nuk përfituan nga kjo lehtësi kur u rrit paga minimale në prill, pasi vendimi hyri në fuqi vetëm tani, duke mos pasur efekt prapaveprues.

Në prill paga minimale nga 1 prilli u rrit nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë, apo me 17.6%. pas rritjes së pagës minimale, nga qershor u rrit dhe ajo maksimale po me 17.6%, nga 149,954 lekë në 176,416 lekë.

Pra, ndërsa paga minimale në vlerë u rrit me 6 mijë lekë, ajo maksimale u rrit me rreth 26.5 mijë lekë, duke rënduar ndjeshëm si punëdhënësit ashtu dhe punëmarrësit.

Ndërsa në rishikimin e ardhshëm të pagës minimale, edhe ajo maksimale do të rritet po në të njëjtën vlerë dhe jo në të njëjtën përqindje.

Ndryshimi u bë pasi rritja në mënyrë agresive e pagës minimale dhe çdo rritje e ardhshme pagës minimale e rriste shumë dhe pagën maksimale. Psh, nëse paga minimale vitin e ardhshëm do të shkojë 45 mijë lekë, ajo maksimale do të arrijë në 181.4 mijë lekë.

Nëse do të zbatohej ligji i vjetër, duke zbatuar të njëjtën përqindje të rritjes, konkretisht 12.5%, paga maksimale do të arrinte në gati 200 mijë lekë./Monitor