Ekonomia

Pandemia ul shitjet e parfumeve

Pandemia ul shitjet e parfumeve

Për produktet e kozmetikës, pas hapjes së ekonomisë, niveli i shitjeve për kompaninë “Farmasi Albania” u rrit, kryesisht për make up, makijazhin e syve, buzëkuqin rezistent, ndërsa për parfume kërkesa ra. Pas përfundimit të izolimit, tregtimi i produkteve të kozmetikës u përmirësua ndjeshëm, pasi popullata iu kthye shumë shpejt normalitetit, siç shpjegon drejtoresha e shitjeve për kompaninë, Marçela Kapo.

“Në muajt shtator-tetor, konsumatori rriti më shumë shpenzimet për produktet e makijazhit të syve, sesa për buzët. Kjo për shkak të vendosjes të detyrueshme të maskës, jo vetëm për ambientet e mbyllura, por edhe në rrugë. Aktualisht, produkti më i shitur për buzët është vetëm buzëkuqi rezistent 8 deri në 12 orë, pasi nuk krijon problem gjatë vendosjes dhe heqjes të maskës. Në tërësi, shitjet për buzëkuqin rezistent, makijazhin e syve, produktet e kujdesit personal dhe të pastrimit të shtëpisë janë rritur 10% dhe për kremin pudër 5%. Të vetmet produkte që kanë pësuar rënie deri në 7% janë parfumet.

Kjo ka ardhur pasi shumë njerëz vazhdojnë të punojnë nga shtëpia dhe mbledhjet i zhvillojnë në zoom. Kjo situatë i detyron ata të përdorin make up për t’u dukur të paraqitshëm, ndërsa parfumi nuk nevojitet, në këto kushte. Te rënia e ndjeshme e shitjeve ndikoi edhe ruajta e distancës sociale, pasi parfumi nuk është më i nevojshëm, edhe vetë individët nuk ndihen keq pa të”.

Kompania parashikon se nëse ndodh kufizimi i dytë, shpenzimet e konsumatorit do të orientohen te produktet e kujdesit personal dhe shtëpisë, pasi pjesa dërrmuese e individëve kërkojnë të ruajnë kursimet. “Për këtë arsye, ne kemi menduar të ofrojmë çmime promocionale për këto produkte, si për familjet shqiptare, edhe për klientët tanë besnikë.

Në karantinë, çmimet për mallrat e higjienës dhe pastrimit u ulën 60-70%. Do të vazhdojmë të ndjekim të njëjtën politikë, nëse do të kemi një karantinë të dytë. Për sa i përket, mosmbajtjes së dasmave, eventeve, ceremonive ndikimi është vetëm te blerjet për dhurata. Vihet re që njerëzit nuk janë më të interesuar për këto blerje, por nga ana tjetër shpenzimet individuale nuk janë ulur. Për festat e fundvitit, parashikojmë që edhe shpenzimet për dhurata, sidomos për të afërmit të rriten”, nënvizon drejtoresha e shitjeve, Marçela Kapo.

*Marrë nga Monitor