Porti Turistik i Durrësit do nisë ndërtimin brenda tre muajsh! Intervista e Mohamed Alabbar për Euronews Albania

Sot në mëngjes kryeministri e niste ditën duke risjellë edhe një herë pamjet se si do duket Porti Turistik i Durrësit. Ditët e fundit opozita Meta-Berisha iu ka bërë thirrje shqiptarëve të mos blejnë shtëpi e prona në Portin Turistik të Durrësit, sepse ky është një projekt mashtrues, ndërkaq, “Euronews Albania” ka sjellë një intervistë të themeluesit të grupit “Emaar Properties” Mohamed El Alabbar, i cili thotë se ndërtimi nis brenda tre muajsh dhe flet edhe për çmimet e shtëpive.
“Mua më pëlqen shumë ajo që bëj. Unë filloj përpara marrëveshjes. Kemi pasur një masterplan. Kemi bërë dizajnin e ndërtesave edhe pse po prisnim marrëveshjen që u firmos ditën e djeshme, por ndërtimi mund të fillojë brenda 2 muajve, maksimumi mund të shkojë në 3 muaj dhe ne mund të nisim ndërtimin,” tha ai.
Investimi me vlerë fillestare prej 2 miliardë dollarësh sipas tij mund edhe mund të rritet. “Përllogaritet deri në 2 miliardë dollarë ose euro, por ndërsa kemi qenë duke punuar për të po përmirësojmë disa detaje dhe mendoj se kjo shifër edhe mund të kalojë 2 miliardëshin.”
Por ato që nuk do të rriten sipas tij janë çmimet të cilat do të jenë të përshtatshme për nivelin ekonomik të Shqipërisë.
“Ne jemi në Shqipëri ndaj dhe çmimet do të përshtaten me Shqipërinë. Do të ketë ndryshim mes atyre rezidencave apo hapësirave që shikojnë nga deti, apo nga marina dhe kjo varet edhe nga cilësia. Do të ketë një variacon të çmimeve, por gjithsesi duke qëndruar në nivelin e Shqipërisë. Ne e kemi studiuar tregun për disa vite”.
Investimi është një bashkëpunim midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”.