Projektbuxheti 2024/ 300 mln euro më shumë se i këtij viti, ja cilët sektorë do mbështeten
Buxheti i vitit që vjen është parashikuar të jetë rreth 7 miliardë euro, 300 milionë euro më shumë se ky vit.
Ministria e Financave thotë se me këtë projektbuxhet mbështeten sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale, bujqësia, energjia si dhe infrastruktura. Në total investimet për vitin që vjen kapin shifrën e 1.2 miliardë euro.
Po ashtu në draft është specifikuar që për vitin që vjen do të jepen 77 milionë euro për bonusin e pensioneve dhe për indeksimin e pensioneve.
Ndërsa janë parashikuar 110 milionë euro që do të shkojnë për reformën e pagave që parashikon rritjen e rrogave për punonjësit e sistemit shëndetësor, arsimorë, punonjësit me grada dhe nëpunësit e administratës publike. Kjo rritje do të nisë nga 1 korriku i vitit 2024, ndërsa rritja tjetër kësaj kategorie iu bë në prill të këtij viti.
Për të vijuar me programin e rindërtimit janë parashikuar fonde në vlerën 70 milionë euro, nga 170 milionë euro që u parashikuan për rindërtimin për vitin 2023.
Shpenzime në vlerën 50 milionë euro janë caktuar për kompensimin e ish-pronarëve, reformë e cila është ende shumë larg mbylljes. Sa i takon borxhit publik për vitin e ardhshëm do të jetë në vlerën e 14. 3 miliardë eurove, pothuajse në të njëjtën vlerë si viti aktual dhe nuk parashikohet dalje në tregjet ndërkombëtare për të marrë një borxh të ri.